Lidhje

Hipertensioni tek femijët/Aksidentet Rugore


Një studim i kohëve të fundit tregon se një numër i madh fëmijësh amerikanë me tension të lartë gjaku nuk diagnostikohen. Ky studim ka nxitur diskutimin rreth çështjes nëse hipertensioni mes fëmijëve është po aq shqetësues edhe në vende të tjera.

Studimi i botuar në revistën e shoqatës amerikane të mjekësisë, mbështetet në të dhënat mjeksore të rreth 14 mijë fëmijëve dhe të rinjëve nën 19 vjeç në rajonin urban të pjesës verilindore të shtetit Ohajo. Rezultatet treguan se vetëm 25 përqind e fëmijëve u diagnostikuan saktë me tension të lartë gjaku.

Mjekët thonë se mbipesha dhe përdorimi gjeresisht i të ashtuquajturës diete perëndimore, e pasur me dhjamë, kripë e sheqer, si dhe prirja për më pak ushtrime fizike, janë arsyet kryesore për shtimin e rasteve të hipertensionit. Edhe trashëgimia është një prej faktorëve. Nëse prindërit kanë tension të lartë gjaku, fëmijët gjithashtu mund ta kenë atë. Gjatë studimit u vu re se mjekët shpesh interpretojnë gabim shkallën e tensionit, duke mos përfillur lartësinë trupore, peshën, gjininë dhe moshën e fëmijëve kur u masin tensionin e gjakut.

Doktor David Kaebler, autor i studimit, pranë spitalit të fëmijëve në Boston thotë se mjekët pediatër duhet të tregohen më të kujdeshëm kur vizitojnë fëmijët. Një studim në Indi, thotë se rezultatet e studimit në Shtetet e Bashkuara konfirmojnë të dhëna që u gjetën mes fëmijëve në qytetet Delhi dhe Mumbai.

Një mjek indian është dakord me kolegët e tij amerikanë që nëse tensioni i gjakut tek fëmijët nuk vihet nën kontroll, dëme më të mëdha mund t’u shkatohen atyre kur të rriten.

Aksidentet Rugore

Për shmangijen e aksidenteve rrugore, Departamenti amerikan i Transportit po vë në shenjestër shoferët që përdorin pije alkoholike, veçanërisht ata që kanë shkelur në mënyrë të përsëritur ligjin. Zyrtarë të tjerë thonë se në këtë drejtim, rol mund të luaj edhe teknologjia e lartë.

Shoferët e dehur vrasin...dhe zyrtarët amerikanë kanë ndërmarrë një fushatë në shtyp dhe masa të rrepta për të ndryshuar këtë dukuri. Gjatë një takimi me organizata jo qeveritare, përkrahës të këtyre masave dhe me oficerë të polisë rrugore, administratorja e inspektoriatit të kontrollit rrugor, Nikole Nason, foli kohët e fundit rreth fushatës për siguri nga makinat në rrugë. “Gjatë më shumë se një dhjetë vjeçari, ne nuk kemi bërë ndonjë përparim për pakësimin e rasteve të vdekjeve nga aksidentet që shkaktohen nga shoferët e dehur. Ne vazhdojmë të humbasim 13 mijë njerëz në vit”.

Kjo është arsyeja përse zyrtarët amerikanë dhe organizata jo qeveritare po bëjnë thirrje për përdorim më të gjërë të teknologjive të tilla siç janë pajisjet që bllokojnë automatikisht makinën kur shoferi është i dehur. Kur kjo pajisje montohet në makinë, shoferi fillimisht e mbush atë me frymën e tij. Kur personi nuk ka pirë alkohol makina ndizet, por kur ai ka pirë, makina nuk ndizet dhe të dhënat regjistrohen automatikisht dhe kontrollohen nga inspektoriati rrugor. Chuk Harlei e organizatës Nënat kundër ngarjes së makinës në gjendje të dehur, thotë se arsyeja që shumë njerëz vazhdojnë të pijnë e të ngasin makinën është se ata askush nuk i ndalon, prandaj pajisje të tilla mund t’u thonë atyre, ndal.

Në vitin 2005, Nju Meksiko u bë shteti i parë amerikan që urdhëroi vendosjen e këtyre pajisjeve në automjete dhe që nga ajo kohë aksidentet rrugore në këtë shtet janë pakësur 28 përqind. Frika nga arrestimi është provuar si taktikë e mirë parandaluese dhe zyrtarët federalë tani po shqyrtojnë mundësinë e përdorimit në mbarë Amerikën të pajisjeve që nuk lejojnë ndezjen e makinës kur shoferi është i dehur.

Sa orë duhet të punojnë mjekët për t'u shërbyer pacientëve të tyre?

Mjekët amerikanë më parë punonin rreth 120 orë në javë gjatë praktikës në spitale. Por tani një doktor i ri nuk mund të punojë më shumë se 80 orë në javë, pasi kështu ai ndjehet më i shlodhur dhe si rrjedhim mund të shmangë gabimet gjatë trajtimit të të sëmurit.

Pas përfundimit të fakultetit të mjekësisë në Shtetet e Bashkuara, mjekët e rinj punojnë në spitale nën mbikqyrjen e mjekëve me përvojë. Orët e tyre të punës u pakësuan pas një studimi që tregoi se mungesa e gjumit shtonte gabimet mjekësore. Por askush nuk e dinte nëse transferimi i të sëmurëve nga një mjek tek tjetri, për shkak të pakësimit të orëve të punës, ishte në të mirë të pacientëve.

Doktor Jeffrey Silber, një nga autorët e studimit thotë se çdo gjë po shkon mirë me këtë orar, pra nuk ka ndodhur ndonjë katastrofë, numri i vdekjeve nuk është shtuar. Disa njerëz shqetësoheshin se duke kaluar pacientin nga një mjek tek tjetri, të dhënat mjekësore të tij mund të ngatërroheshin dhe atij mund t’i jepej trajtim i gabuar. Autorët e studimit thonë se qëllimi i tyre është për të gjetur afërsisht kohën e saktë që një mjek mund të punojë dhe ta kryejë këtë puna pa u ndjerë i lodhur, pasi kështu edhe të sëmurëve do t’u shërbehej më mirë. //rd//

XS
SM
MD
LG