Lidhje

Rikthehet në parlament çështja e heqjes së Prokurorit të Përgjithshëm


Në Shqipëri rikthehet në parlament çështja e heqjes së Prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku. Grupi i partisë demokratike pritet të depozitojë nesër kërkesën për nisjen e procedurave për shkarkimin e tij. Sipas përfaqësuesve të shumicës në vitin e fundit është përkeqësuar edhe më tej aktiviteti i prokuorisë e cila akuzohet këtë herë kryesisht për cështjet e ekstradimeve dhe pasivitet ndaj denoncimeve të bëra nga institucionet e tjera duke mos nisur hetime.

Javët dhe muajt e ardhshëm do të mbërthejnë politikën shqiptare sërish në çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Një temë e cila është lakuar fort edhe kohët e fundit dhe pritje të mbetej në qendër të vëmendjes pas zgjedhjes në postin e lartë të kreut të shtetit, të zotit Bamir Topi, ish figurë qëndrore e partisë demokratike. Pozicionimi i tij kundër kryeprokuorit ishte fare i qartë. Në deklarimet e tij të para ai u shpreh se kishte kërkuar dorëheqjen e kreut të akuzës, se prokuroria ishte pasive dhe se nevojitej kufizimi i mandatit. Por presidenti megjithatë bëri të qartë, edhe pak ditë më parë në një intervistë në Top Chanel se megjithatë nuk kishte ndërmend të vepronte, pa patur më parë një nismë nga parlamenti duke hedhur idenë e një komisioni tjetër hetimor. Ide e cila do të konkretizohet nesër nga demokratët të cilët kanë përgatitur tashmë kërkësen për nisjen e procedurave për shkarkimin e kryeprokurorit Theodhori Sollaku.

Komisioni i parë nuk arriti të kurorëzonte pozitivisht betejën një vjecare të së djathtës për largimin e prokuorit të përgjithshëm. Ish presidenti Alfred Moisiu në tetor të vitit të shkuar, refuzoi të dekeretonte shkarkimin ndërsa më pas, në dhjetor, gjykata kushtetuese velrësoi se parlamenti nuk kishte kompetencë të kontrollonte dhe të vlerësonte vendimet e prokurorëve në çështjet konkrete për mosfillimin e procedimit penal, për pezullimin e hetimeve, për pushimin e çështjeve penale, për marrjen e masave të sigurimit, si dhe të vendimeve e veprimeve të tjera që lidhen me ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në gjyq duke theksuar se parlamenti kishte marrë në këtë mënyrë atributet e një pushteti tjetër.

E djathta këtë herë duket se do të përpiqet të mos shkelë në terrenin e ndaluar nga kushtetuesja. Objekt i hetimit do të jetë periudha pas mbylljes së komisionit të mëparshëm, gjatë së cilës sipas demokratëve situata ka ardhur duke u përkeqësuar. Demokratët akuzojnë prokuorinë për problemet me ekstradimet, por edhe për faktin se sipas tyre ajo është treguar pasive ndaj denoncimeve të bëra nga institucionet e tjera duke mos hapur hetime kryesisht për cështje që lidhen me korrupsionin.

Në këtë situatë është lehtësisht e parashikueshme një acarmi i mëtejshëm i situatës politike, ku marrëdhëniet pozitë opozitë janë të tensionuara. E majta reagoi që në fillim ndaj deklaratave të para të presidentit Topi për një tjetër komision hetimor, duke e kritikuar kreun e shtetit se kishte shkelur në këtë mënyrë angazhimet e marra në tryezën e partive politike për një reformë në sisitemin e drejtësisë ku do të duhej të trajtohej edhe çështja e Prokurorit të Përgjithshëm. //rd//

XS
SM
MD
LG