Lidhje

Rendition - Drama e re e Hollivudit, prek çështje politike


Filmin e ri dramatik Rendition po shfaqet në kinematë amerikane. CIA rrëmben në Washington egjyptianin Anwar El-Ibrahim dhe e dërgon atë në një qëndër burgimi sekrete diku në Lindjen e Mesme për ta marrë në pyetje. Ndërkohë, gruaja e tij amerikane Isabela përpiqet të mësojë arësyet e zhdukjes së tij. Me aktor kalibri si Meryl Streep, Alan Arkin dhe Reese Witherspoon, shikuesve të këtij filmi i premtohet një dramë e fuqishme politike.

Sapo kthehet në Shtetet e Bashkuara nga një udhëtim biznesi në Afrikën e Jugut, Anwar El Ibrahimi rrëmbehet nga CIA. Anwar çohet në një qendër burgimi diku në Lindjen e Mesme ku merret në pyetje dhe torturohet nga Abas, një polic i dhunshëm. Anwar akuzohet se ka marrë telefonata nga një terrorist. Të dhënat e pakta të përfshirjes së tij në një komplot terrorist dhe dëshmitë e tij për pafajësi nuk e lehtësojnë marrjen në pyetje.

Aktori Omar Metwally luan Anwarin në këtë film. "Përmes këtij roli më erdhi në mendje babai im. Ai imigroi këtu në Shtetet e Bashkuara. Ishte më i moshuar se personazhi që luaj në film kur erdhi këtu dhe kur isha i vogël, babai udhëtonte gjithë kohën. Ai ishte biznesmen. Dhe gjithmonë udhëtonte. Mu kujtua kjo pjesë kur lexova skenarin, e imagjinova atë dhe kjo më dha menjëherë një lidhje të fortë personale me materialin dhe me personazhin" thotë aktori.

Intriga e filmit na zbulon gjithashtu mendimet e gruas amerikane të Anwarit. Fituesja e çmimit Oskar Reese Witherspoon luan Isabela El Ibrahimin. Ajo thotë se personazhi i saj është më i prekuri nga kjo praktikë e marrjes në pyetje. "Nga njëra anë, duket se kjo praktikë diktohet nga rethanat në të cilat jetojmë. Por në anën tjetër, është tërësisht e papranueshme. Kjo praktikë nuk duket fare amerikane". Jake Gyllenhaal luan analistin e CIAs Douglas Freeman. Ai është caktuar të vëzhgojë procesin e marrjes në pyetje të Anwar El-Ibrahimit por nuk ndërhyn.

Në anën tjetër të spektrit është një zyrtare e lartë e CIAs Corinne Whitman, luajtur nga Meryl Streep. Filmi Rendition ngre një pyetje të rëndësishme – si mund të arrish një balancë midis sigurisë së publikut dhe të drejtave njerëzore. Me aktorë të kalibrit si Meryl Streep, Alan Arkin, Reese Witherspoon dhe Jake Gyllenhaal të gjithë presin një dramë të fuqishme politike.

XS
SM
MD
LG