Lidhje

Pakistan: Benazir Buto përsëri nën arrest shtëpie


Policia pakistaneze vendosi sot ish kryeministren Benazir Buto nën arrest shtëpie për herë të dytë brenda pesë ditësh për të mos e lejuar të udhëhiqte marshimin kundër gjendjes së jashtëzakonshme.

Qindra përkrahës të ish-kryeministres u mblodhën jashtë shtëpisë së saj në Lahore, duke u përgatitur të fillonin marshimin drejt Islamabadit. Shumë prej tyre u kapën nga furgonat e policisë dhe vunë nën arrest.

Zonja Buto, i bëri thirrje kreut ushtarak Pervez Musharraf të jepte dorëheqjen si president dhe komandant i ushtrisë. Kjo ishte hera e parë që ajo i bëri thirrje gjeneralit Musharraf të hiqte dorë nga të gjitha postet.

Dy udhëheqësit kanë zhvilluar bisedime gjatë muajve të fundit në përpjekje për të negociuar një marrëveshje për ndarjen e pushtetit e cila mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

Por zonja Buto tha se me forcën e përdorur nga gjenerali Musharraf nën gjendjen e jashtëzakonshme ajo nuk mund të shërbente kurrë si kryeministre nën pushtetin e tij. Ajo tha se partia e saj opozitare mund t’i bojkotojë zgjedhjet e përgjithshme që pritet të zhvillohen rreth datës 9 janar.

Zonja Buto tha gjithashtu se ajo do të përpiqej të krijonte aleancë me ish-kryeministrin tjetër Navaz Sharif. //iç//

XS
SM
MD
LG