Lidhje

Në pikëpyetje legjitimiteti i zgjedhjeve në Rusi


Rusët hedhin votat këtë të djelë në zgjedhjet parlamentare që pasojnë një fushatë, drejtësia e së cilës është vënë në pikëpyetje.

Reklamat televizive për fushatën thonë se Rusia e presidentit Vladimir Putin gëzon sukses – politik, ekonomik, kulturor, shkencor dhe sportiv. Në to thuhet se fitore të mëdha shtrohen përpara në se votuesit zgjedhin partinë Rusia e Bashkuar të zotit Putin. Përkrahësit e tij thonë se fitorja është e nevojshme për të çuar përpara të ashtuquajturin Plani Putin. Por anketat tregojnë se shumica e rusëve nuk e njohin planin dhe fushata e partisë Rusia e Bashkuar nuk e shpjegon atë.

Kundërshtarët e presidentit thonë se Plani Putin është ruajtja e pushtetit. Boris Nemtsov është kandidat i partisë Bashkimi i Forcave të Djathta. “Kjo çon në abuzimin e pushtetit. Çon në paligjshmëri dhe burokraci. Çon në korrupsion jashtë çdo kontrolli. Gjatë viteve të tij në pushtet, Rusia është radhitur në vendin e 142 për korrupsionin në shkallë botërore. Jemi njëlloj me Zimbabvenë, Sierra Leonen dhe Nigerinë. A mund ta imagjinoni? Çfarë udhëheqësi! Përse duhet ta përkrahim atë?”

Emri i zotit Putin kryeson listën e Partisë Rusia e Bashkuar megjithëse ai nuk është kandidat. Anëtarët e partisë thonë se udhëheqësi i Kremlinit ka meritën e përmirësimit të ekonomisë ruse. Kritikët thonë se Rusia, eksportuese e naftës, ka përfituar nga rritja e madhe e çmimeve të energjisë dhe mund të pësojë rënie nëse këto çmime bien. Inflacioni është tashmë problem.

Partitë opozitare thonë se kanë vështirësi të përçojnë mesazhin e tyre pasi u mohohet e drejta për të patur hapësirë në televizionin shtetëror. Aktivistët akuzojnë qeverinë se konfiskon materialet e fushatës.

Një gjykatë në Moskë dënoi kohët e fundit udhëheqësin e opozitës dhe ish kampionin e shahut, Garry Kasparov me pesë ditë burg pasi mori pjesë në një demonstratë të paligjshme. Zoti Kasparov dhe disa aktivistë të opozitës u arrestuan të shtunën. Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka ndaluar koalicionin e opozitës të zotit Kasparov, Rusia Tjetër, që të paraqesë kandidatë në zgjedhje.

Ndërkohë Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë nuk ka pranuar të vëzhgojë zgjedhjet. Organizata monitoron zgjedhjet në 56 vendet anëtarë. Ajo thotë se autoritetet ruse nuk u dhanë viza vëshguesve në kohën e duhur. Presidenti Putin fajëson Departamentin amerikan të Shtetit për këtë vendim. Ai thotë se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të minojnë legjitimitetin e zgjedhjeve.

Në se zgjedhjet e së djelës në Rusi shihen si legjitime apo jo, vëzhguesit thonë se partia Rusia e Bashkuar e zotit Putin ka gëzuar avantazhe të mëdha gjatë fushatës dhe thuajse se asnjeri nuk e vë në dyshim se ajo do të fitojë një shumicë të konsiderueshme vendesh në parlament. //rd//

XS
SM
MD
LG