Lidhje

Puberteti i përshpejtuar mund të shkaktohet nga gjendja në familje


Ekspertët mjekësorë shprehën shqetësim me një gjendje të re që po vihet re tek vajzat e reja në mbarë botën, për shkak të pubertetit , apo pjekurisë seksuale që tani duket se vjen më shpejt. Shkencëtarët besojnë se mund të ketë shkaqe të ndryshme për këtë zhvillim më të hershëm. Një prej shkaqeve që ndikojnë mund të jetë edhe gjendja në familje.

Vetëm gjatë shekullit të kaluar mosha mesatare e vajzave që u fillonin menstruarcionet, në Shtetet e Bashkuara u ul me katër vjet, nga 16 në 12. Në pjesë të tjera të botës, kjo mosha ka rënë edhe më shumë. Puberteti në moshën tetë vjeçare nuk është i pazakontë.

Në moshën pesë vjeçare, Skyla Xhons filloi të tregojë shenja të një zhvillimi seksual. Nëna e saj u shokua kur mjeku i fëmijës tha se Skylës po i fillonin menstruarcionet. "Kështu më tha – po i fillonte cikli. U trondita shumë.",- tregon e jëma.

Skyla Xhons është një rast jo i zakontë. Tani, dy studime, një në Britani dhe një tjetër në Shtetet e Bashkuara tregojnë se stresi në shtëpi mund të nxisë një reagim vetë-mbrojtës mbijetese tek vajzat dhe kjo mund të shkaktojë zhvillim të hershëm seksual. Një nga autorët e studimit amerikan është Marilin Eseks, në Universitetin e Visconsinit.

"Zbulimi bazë i studimit është se fëmijët zhvillohen për t’u përshtatur me mjedisin." ,- thotë studjuesja.

Studiuesit e universiteteve Viskonsin dhe Arizona që kryen studimin amerikan vrojtuan të paktën 220 vajza, nga fëmijëria deri në fazën kur ndryshuan ciklin hormonal. Të gjitha vajzat ishin pjesë e familjeve me të dy prindërit. Gati gjysma e vajzave që jetonin në një mjedis familjar me stres filluan pubertetin në klasën e pestë, ose rreth moshës 10 vjeçare.

Përsëri Marilin Esseks:

"Kur fëmijët jetojnë në shtëpi ku nuk ndjehen të sigurtë, zhvillohen më shpejt. Vajzat që jetonin në familje më të mira, ku kishte më pak konflikte mes prindërve, u zhvilluan më vonë seksualisht."

Ka faktorë të tjerë, që kontribuojnë në pubertetin e hershëm: kequshqimi, mungesa e ushtrimeve fizike dhe pesha, janë tre shembuj. Studiuesit britanikë zbuluan gjithashtu, se vajzat që filluan pubertetin shpejt ishin shpesh më impulsive. Zhvillimi i hershëm seksual, thonë ata, shpesh kontribuon në çrregullime të sjelljes dhe shtatëzani në adoleshencë.//lk

XS
SM
MD
LG