Lidhje

UNICEF:  Numri i vdekjeve tek fëmijët nën 5 vjeç ka rënë ndjeshëm

  • Liza Shlajn
  • Nju Jork

Sipas një raporti të ri të UNICEF-it, vitin e kaluar, numri i fëmijëve që vdiqën para moshës 5-vjeçare, ra nën 10-milionë vetë, për herë të parë që kur Kombet e Bashkuara kanë filluar regjistrimin. Por, Fondi i OKB-së për Fëmijët, që ka filluar Studimin më të fundit për Përparimin e Fëmijëve, njofton se duhet bërë shumë më tepër për përmirësimin e gjendjes shëndetësore dhe mirëqenien e fëmijëve në mbarë botën. Të dhënat e grumbulluara nga më tepër se 50 vende të botës, përdoren për monitorimin e përparimit të bërë, drejt arritjes së synimeve dhe objektivave ndërkombëtare, mes tyre edhe ajo e Zhvillimit të Mijëvjeçarit.

Rapori ve në dukje se në vitin 1960 vdisnin çdo vit rreth 20 milionë fëmijë të moshës nën 5-vjeçare. Kjo shifër ka rënë me shpejtësi, në më pak se gjysmën e saj. Fondi i OKB-së për Fëmijët, ia atribuon këto përmirësime të rëndësishme disa ndërhyrjeve kyçe të mbijetesën e fëmijëve. Për shembull, në raport thuhet se të gjitha vendet e Afrikës Nën-Sahariane që u përfshinë në studim, kishin zgjeruar përdorimin e rrjetave të spektatura me insekticide, një mjet i rëdësishëm për ndalimin e malaries.

Në 47 vende të të botës, ku 95 për qind e vdekjeve ndodhin për shkak të fruthit, thuhet se është shtuar përdorimi i vaksinave, duke çuar në pakësimin e numrit të vdekjeve. Në raport thuhet se ushqyerja vetëm me gji e foshnjeve është përmirësuar ndjeshëm në 16 vende të Afrikës Nën-Sahariane, duke çuar në një numër më të vogël vdekjesh. Por, redaktorja e raportit, Kathrin Langevin-Falkon, thotë se ndërsa ka patur përparim në një sërë fushash, ka patur rënie në disa të tjera.

"Është bërë më pak përparim përsa i përket zgjerimit të kurimin e sëmundjeve kryesore të fëmijërisë, si për shembull penumonia dhe malaria. Që nga viti 1990, numri i fëmijëve që vuajnë nga kequshqyerja ka rënë nga 32 për qind në 27 për qind. Por ende ka 143 milionë fëmijë nën 5 vjeç, të cilët vuajnë nga kequshqyerja dhe më tepër se gjysma e tyre ndodhen në Azinë jugore. Mbi 500 mijë gra vazhdojnë të vdesin çdo vit, si rezultat i komplikacioneve gjatë shtatzanënisë dhe lindjes. Rreth gjysma e këtyre vdekjeve ndodhin në Afrikën Nën-Sahariane."

Raporti thekson se ritmi më i lartë i vdekjeve të fëmijëve të moshës nën 5 vjeçare ndodh në vendet e përfshira në konflikte, ose në vendet ku është përhapur virusi HIV. Shefi për Shëndetësinë dhe Ushqyerjen i UNICEF-it, Peter Salama, thotë se numri i vdekjeve mundet të pakësohet ndjeshëm, duke kombinuar për shembull, dhënien e vitaminës A gjatë fushatave të vaksinimit për poliomelitin dhe fruthin.

"Të marrim si shembull rajonet ku përdoren rrjetat e spërkatura me insekticid për parandalimin e malaries; ajo që vërejmë është se mënyra më e mirë për shpërndarjen e këtyre rrjetave është nëpërmjet programeve të tjera. Këtu përmendim, për shembull, fushatën e imunizimeve rutinë. Pra vërejmë se rezultatet më të mira i marrim nëpërmjet bashkërendimit të programeve të ndryshme dhe në fund të fundit, pasoja do të jetë pakësimi i numrit të vdekjeve tek fëmijët."

Përveç mbijetesës, raporti thotë se është bërë gjithashtu përparim në arsimimin e fëmijëve, në barazinë gjinore mes vajzave dhe djemve, si dhe në mbrojtjen e fëmijëve. Në raport thuhet se numri i fëmijëve të moshës së shkollës fillore, të cilët nuk shkojnë në shkollë, ka rënë me rreth 20 për qind dhe një numër i madh vajzash po ndjekin tani shkollën.

Në raport thuhet se praktika e dëmshme për gjymtimet gjenitale të vajzave vazhdon të jetë tepër e përhapur, por ka rënë gjatë 15 vjetëve të fundit; po ashtu, edhe martesat në moshën e fëmijërisë po bëhen më pak të zakonshme.//lk

XS
SM
MD
LG