Lidhje

Amerika nga Ajri”: Historia e udhëtimeve ajrore në SHBA


Linjat ajorore për transportin e pasagjerëve filluan në Shtetet e Bashkuara në vitin 1914, afro 1 dekadë pas shpikjes së aeroplanit. Historia e industrisë së transportit ajror dhe ndikimit që ka pasur ajo mbi shoqërinë është bërë një rrëfim epik i kohës sonë. Kohët e fundit në Muzeun Kombëtar të Hapësirës dhe Aeronautikës në Uashington u hap një pavion i ri me titull “Amerika nga Ajri” i cili shtjellon historinë e udhëtimeve ajrore në Shtetet e Bashkuara:

Një vizitë në Muzeun Kombëtar të Hapësirës dhe Aeronautikës mund të duket si udhëtim në të kaluarën- veçanërisht kur viziton pavionin Amerika nga Ajri.

"Këtu kemi ekspozuar objekte mbi historinë e industrisë amerikane të aviacionit që nga fillimet e hershme të saj në 1914 e më herët, në 1911 kur u krye një fluturim për transportin e postës e deri në ditët tona," thotë Robert van der Linden i cili punon në muze.

Van Linden thotë se aviacioni i hershëm në Shtetet e Bashkuara pati një fillim plot probleme, por më pas qeveria federale u angazhua për zhvillimin e kësaj industrie përmes investimeve në postën ajrore, duke i dhënë hov industrisë. Më pas ajo u zhvillua me ritme të shpejta.

"Ndryshimet teknologjike nuk do t’i përshkruaja si dramatike, por si të pabesueshme. Nga avioni me skelet druri dhe pëlhurë në aeroplanin modern, nga një avion që s’mund të mbante asnjë pasagjer, tek avioni me 400 veta në bord- është diçka e mahnitshme."

Kjo histori 93 vjeçare e përmbledhur në një sallë të vetme të muzeut ka vendosur përballë njëra-tjetrës objekte nga më të ndryshmet: modele avionësh të vjetër dhe fotografi nga fillimet e fluturimeve qëndrojnë tani nën hijen e avionit Boeing 747.

"Shpresoj që kur vizitorët ta shohin avionin 747, të shtangen. Kemi arritur që këtë avion gjigand ta vendosim brenda ndërtesës së muzeut," thote Van Linden.

Përparimet teknologjike që janë ekspozuar këtu gjenden pranë ekspozitave që paraqesin evolucionin shoqëror biles edhe ndryshime në modë. Një ndër zhvillimet më të spikatura është avancimi i gruas në këtë industri: nga roli i tyre ekskluziv si stuardesa, tani ato janë edhe pilote avionësh.

Avionët e sotëm transportojnë një miliard pasagjerë në vit në çdo skaj të globit. Por ngritja e gjithë kësaj sipërmarrjeje në fluturim u krye brenda një periudhe më të shkurtër se ç’mund ta imagjinojnë shumë veta. //ii

XS
SM
MD
LG