Lidhje

Dhuratat për të varfërit në frymën e Krishtlindjeve

  • Mendi Klark

Një pulë, një dhi, apo një tualet mund të mos tingëllojnë si dhurata të preferuara për festat e fund-vitit, por shumë organizata bamirëse i konsiderojnë të tilla. Disa agjenci ndërkombëtare ndihmash kanë tërhequr përkrahës të shumtë pikërisht si rezultat i dhuratave të pazakonta që japin për njerëz në vende të varfëra. Megjithatë, vazhdojnë pikëpyetjet mbi mënyrën si shfrytëzohen fondet e dhuruara për bamirësi:

J.P Aleksander ka një synim. Po afrojnë festat e fund-vitit dhe ai po përpiqet të gjejë dhuratën e përsosur. Shumë veta ndeshen me një dilemë të tillë në këtë periudhë të vitit, por ai do që dhurata të mishërojë edhe simbolizmin e kësaj periudhe dhuratash:

"Pasi u menduam, vendosëm të bëjmë diçka që do të zhvendoste vëmendjen nga akti i të dhuruarit të një objekti fizik në atë të një dhurate që sjell ndryshime sociale."-thotë ai.

J.P. Aleksander është shembulli tipik i konsumatorit të ndërgjegjshëm që shoqata si Oksfam Anrept duan të tërheqin. Agjencia e ndihmave Oksfam ka nxjerrë një reklamë të pazakontë për të nxitur fushatën e saj.

Është viti i tretë që kjo organizatë ka bërë thirrje për dhurata të pazakonta për periudhën e festave. Për afro 50 dollarë mund të dhurosh 50 thasë me fara, apo një dhi për bujqit nomadë të Afrikës. 100 dollarë u sigurojnë bletërritësve në Amerikën Latine një koshere bletësh, me bletë dhe trajnim për mbajtjen e tyre.

Zëdhënësi i OksFAM-it, Stefën Harvi, thotë se fushata ka kapur imagjinatën e publikut.

"Janë dhurata novatore dhe argëtuese për Krishtlindje që janë dhënë gjatë 3 vjetëve të fundit. Më parë, për vite me radhë njerëzit kanë blerë për njëri-tjetrin sapunë, shampo, kollare, pra dhurata të rëndomta."

Edhe Agjencia e OKB-së për Refugjatët UNHCR, po përpiqet t’u japë dimensione reale dhuratave. Programi i saj “Star Appeal” përfshin kuti ndihme të shpejtë, batanije dhe tenda për refugjatët.

Shumë organizata i mbështesin këto ide, megjithëse kjo metodë ka ngjallur edhe kritika nga njerëz që thonë se donatorët nuk janë direkt të angazhuar në blerjen e bagëtisë për blegtorët, por paratë mund të përfshihen në fondin e blegtorisë së organizatës.

Megan Pejsi, e Institutit mbi Grumbullimin e Fondeve, i cili mbikqyr standartet që ndjekin organizatat për tërheqje donacionesh, thotë se shumë agjenci të tilla krijojnë përshtypjen e gabuar në publik:

"Duhet të thuash qartë se çfarë blihet me paratë e dhuruara, qoftë nëse vërtetë blihet një dhi, apo nëse furnizohet një fond që mbështet blegtorinë, që do të ishte një formë më e përgjithshme e shfrytëzimit të parave të dhuruara. Por nga ana tjetër, sa e rëndësishme është për donatorin ta dijë si përdoren paratë?"

J.P Aleksander thotë se nuk shqetësohet se ku shkojnë paratë, për sa kohë që përdoren për të ndihmuar dikë në nevojë.

Organizatat bamirëse nënvizojnë se në fund të fundit paratë shpenzohen për të ndihmuar të tjerët, dhe pikërisht këtu qëndron shpirti i Krishtlindjeve.//lk

XS
SM
MD
LG