Lidhje

Kosovë: Vazhdojnë bisedimet për krijimin e koalicionit të ri qeverisës


Dy forcat kryesore politike në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë vazhduar edhe sot bisedimet për krijimin e koalicionit të ri qeverisës, por ende nuk ka një marrëveshje konkrete. Zyrtarë të të dyja partive presin që kjo të ndodhë gjatë kësaj jave.

Bajram Rexhepi, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, fituese në zgjedhjet e 17 nëntorit, tha se partia e tij synon formimin e një qeverie të qëndrueshme për qytetarët e Kosovës, ndonëse nuk bëri të ditur saktësisht se kur mund të ndodhë një gjë e tillë, si dhe cilët do të jenë partnerët në koalicionin e ri qeveritar.

"Një ndër parimet e PDK-së është se , kryeministri i ardhshëm duhet të jetë një mandatar i mirëfilltë i cili mund ta respektojë formulën e koalicionit por ministrat duhet t'i zgjedhës ai vet, për arsye se përgjegjësia kryesore bie mbi kryeministrin, sidomos tash kur ka një post shumë më të fuqishëm. Andaj, duhet të ketë ministra kompetent, të cilët dinë të udhëheqin dhe pritjet e qytetarëve janë për një qeveri të përgjegjshme dhe efikase dhe në këto parime nuk duhet lëshuar pe", tha ish kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi.

Ndërkaq nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila doli e dyta në zgjedhjet e 17 nëntorit, Eqrem Kryeziu, tha sot se kryesia e kësaj partie mendon që Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të jetë pjesëmarrëse aktive në ndërtimin e institucioneve të reja.

"LDK është e interesuar për një pjesëmarrje të dinjitetshme, e cila nënkupton njëfarë lloj baraspeshe, nëse jo qind për qind, aty pari diku... sepse fituesi është fitues, të jemi objektiv. Për sa i përket parimit të parë të PDK-së, se të gjitha institucionet burojnë nga zgjedhjet e 17 nëntorit, aty kishte një kontradiktë juridiko -formale sepse kryetari i Kosovës e ka një mandat tre vjeçar, mandat i cili interpretohet edhe nga bashkësia ndërkombëtare, dhe ne nuk na shkonte ndërmend që, me vet iniciativë, të binim ndesh me vendime ndërkombëtare..., pra këtu ka qenë një pengesë....Në qoftë se arrihet marrëveshja politike LDK-PDK, atëherë kjo çështje nuk është thelbësore...", tha nënkryetari i LDK-së, Eqrem Kryeziu.

Por, jo zyrtarisht bëhet e ditur se Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar ofertën e Partisë Demokratike, e cila mësohet se i ka ofruar asaj, përveç pajtimit që Presidenti Fatmir Sejdiu të vazhdojë të jetë në këtë post, edhe pesë ministri si dhe postin e zëvendëskryeministrit. Ndonëse bisedimet për koalicion ende nuk kanë përfunduar, partia fituese e zgjedhjeve të 17 nëntorit përveç koalicionit me partitë shqiptare është e detyruar që disa poste ministrash t'i rezervojë për përfaqësuesit e komuniteteve pakicë në Kosovë. (ze)

XS
SM
MD
LG