Lidhje

Presidenti Xhorxh Bush do të vizitojë së shpejti Lindjen e Mesme


Presidenti Bush shkon të martën në Lindjen e Mesme ku shpreson të nxisë bisedimet izraelito-palestineze drejt krijimit të një shteti palestinez. Turneu u Presidentit përfshin edhe Kuvajtin, Bahreinin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Dubain, Arabinë Saudite dhe Egjiptin.

Presidenti Bush thotë se detyra e tij është t’i mbajë kryeministrin izraelit Ehud Olmert dhe presidentin Mahmoud Abbas të përqendruar në thelbin e problemit, megjithë pengesat e mëdha, siç i quan ai, drejt krijimit të një shteti palestinez."Qëllimi është t’u jap atyre besim dhe t’i inkurajoj ata për të arritur në përfundimin se si do të jetë ky shtet, në mënyrë që njerëzit në rajon të kenë shpresë se ky konflikt i vjetër do të zgjidhet më në fund, por hapi i parë është përkufizimi i një shteti."

Turneu i Presidentit Bush vjen pas një konference të organizuar nga Shtetet e Bashkuara në Anapolis të shtetit Merilend pranë Uashingtonit në muajin nëntor. Gjatë konferencës, kryeministri Olmert dhe Presidenti Abbas ranë dakord të fillojnë bisedimet e rregullta për një shtet palestinez.

Presidenti Bush i bëri komentet dje me al-Hurrën, rrjetin televiziv satelitor të qeverisë amerikane në gjuhën arabe.
Ai tha se shpreson të bindë miqtë dhe aleatët në rajon se ekziston nevoja për mbështetje të fortë si ndaj palestinezëve ashtu edhe ndaj izraelitëve për të vënë në jetë formulën e zgjidhjes me dy shtete.

Presidenti ka caktuar objektivin që konturet e një shteti palestinez të jenë formuar përpara se ai të largohet nga Shtëpia e Bardhë pas një viti. Ai e pranon se mbetet shumë punë për të bërë por beson se kjo përsëri është e mundur."Forcat palestineze të sigurimit duhen reformuar dhe ne po ndihmojmë për këtë. Njerëzit që kanë shpirtin e biznesit duhen inkurajuar me kapital të ri. Institucionet e qeverisë duhen forcuar."

Shtëoia e Bardhë thotë se gjatë turneut, presidenti do të takohet me civilë dhe komandantë amerikanë nga Iraku për t’u informuar mbi gjendjen e atjeshme. Ai do të kërkojë një raund të ri sanksionesh kundër Iranit. Presidenti Bush thotë se ka rëndësi vendimtare që Teherani të detyrohet të ndalë pasurimin e uraniumit.

Zoti Bush tha gjithashtu se do të takohet me udhëheqës rajonalë për të diskutuar mbi gjendjen në Liban, ku siç thotë ai, presidenti sirian Bashar al-Assad është pengesa kryesore që Libani nuk po e zgjedh dot presidentin e ri."Presidenti Assad duhet ta kuptojë se nëse dëshiron marrëdhënie më të mira me Shtetet e Bashkuara dhe në rajon, gjëja e parë që duhet të bëjë është të mos ndërhyjë në procesin e zgjedhjes së presidentit në Liban."

Gjatë turneut, Presidenti Bush pritet të takohet edhe me trupat amerikane, të flasë me drejtueset e organizatave të grave në Kuvajt dhe të vizitojë një muze të Holokaustit në Jerusalem.//IB

XS
SM
MD
LG