Lidhje

Kryeministri grek mbështet përpjekjet e Turqisë për t'u anëtarësuar në BE

  • Dorian Xhons
  • Stamboll

Kryeministri i Greqisë, Kostas Karamanlis përsëriti mbështetjen e vendit të tij për përpjekjet e Turqisë për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, megjithatë i bëri thirrje Ankarasë që të përmbushë detyrimet e tij për anëtarësim.

Zoti Karamanlis i bëri këto komente sot në Ankara në ditën e dytë të vizitës së tij historike në Turqi.

Të mërkurën, kryeministri grek zhvilloi bisedime në kryeqytetin e Turqisë me homologun e tij turk, Rexhep Tajip Erdogan.

Mbas bisedimeve që zgjatën një orë më shumë nga sa ishte planifikuar, kryeministri Karamanlis dhe zoti Erdogan dolën duke buzëqeshur para gazetarëve. Zoti Erdogan theksoi rëndësinë e vizitës dhe pohoi se ka filluar një epokë e re në marrëdhëniet dypalëshe.

Gjatë tre dekadave të fundit, të dy vendet kanë qenë disa herë në prag të luftës. Por vizita shihet si një hap i rëndësishëm për përmirësimin e marrëdhënieve dy palëshe.

Kryeministri turk tha se ky vit do të ofrojë mundësi të reja për marrëdhëniet midis dy vendeve dhe se ai shpreson fillimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, ushtrisë, tregëtisë dhe kulturës.

Zoti Erdogan tha se dy udhëheqësit do të punonin për ta bërë Egjeun një det të paqes. Ata u angazhuan gjithashtu që të punojnë për të bashkuar ishullin e ndarë të Qipros, por thanë se ato përpjekje nuk do të fillonin derisa të zhvilloheshin zgjedhjet në anën greke të ishullit.

Zoti Karamanlis shprehu mbështetjen për përpjekjet e Turqisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

"Turqia duhet të lejohet të futet në Bashkimin Evropian kur të plotësojë të gjitha kërkesat për anëtarësim. Një nga standardet më të rëndësishme është trajtimi i drejtë i të gjitha pakicave".

Kryeministri i Greqisë tha se Turqia duhet të njohë të gjitha të drejtat e minoritetit të saj të grekëve ortodoksë. Ai theksoi rëndësinë e rihapjes së Shkollës Teologjike Ortodokse në Stamboll.

Zoti Erdogan tha se është duke u punuar për të gjetur zgjidhje dhe theksoi shqetësimin e qeverisë së tij rreth trajtimit të minoritetit turk nga Greqia.

Gjatë kësaj vizite të parë nuk pritet ndonjë arritje drejt ndonjë çështjeje, por analisti politik turk, Murat Jetkin tha se megjithëse vizita e një kryeministri grek në Turqi u zhvillua në vitin 1959, kjo vizitë ka një rëndësi të madhe.

“Kjo është shumë domethënëse mbas 49 vjetësh. Për mua tregon thyerjen e disa tabuve në politikën greke. Është një tregues shumë i rëndësishëm që riafrimi midis Turqisë dhe Greqisë është në rritje.”

Vizita është përqëndruar gjithashtu dhe në fusha të bashkëpunimit, veçanërisht në rritjen e tregëtisë dypalëshe. Kohet e fundit midis këtyre dy vendeve u hap një linjë e re gazi. (ze)

XS
SM
MD
LG