Lidhje

Demokratët kritikojnë politikat e Presidentit Bush


Udhëheqësit demokratë në Kongres janë duke sfiduar politikën e brendshme dhe të jashtme të Presidentit Bush, përpara mbajtjes prej tij të hënën të fjalimit të përvitshëm për gjendjen e vendit. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, dhe udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Harry Reid hartuan një listë ku rreshtonin arritjet e demokratëve përkrah kritikave për politikat e Presidentit.

Komentet më të ashpra ishin për politikën e jashtme, ku Senatori Reid paraqiti një listë me dështime të cilat ai ia atribuon politikave të Presidentit.

“158 mijë amerikanë zgjohen çdo mëngjes në shkretëtirat e Irakut për t’u përballur me një ditë tjetër të rrezikshme që ata nuk mund ta parashikojnë dhe urrejtjeje që nuk e shkaktuan ata. Osama Bin Laden është ende i lirë dhe al-Kaida po forcohet. Afganistani, që dikur cilësohej si një sukses i madh, vazhdon të rrëshqasë drejt dhunës, ekstremizmit dhe një tregëtie të shfrenuar të drogës. Rruga drejt demokracisë në Pakistan është e dyshimtë megjithë miliarda dollarë të shpenzuara për të luftuar terrorizmin që nuk dihet se ku kanë përfunduar.”

Zoti Reid tha se Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë për të ringritur autoritetin moral të dëmtuar nga lufta në Irak. Ai i bëri thirrje Presidentit të shprehet qartë kundër përdorimit të torturës gjatë hetimeve, për një mbështeje më të fortë për demokracinë në Pakistan dhe të ndërmarrë hapa të rinj diplomatikë në lidhej me Iranin.

Kryetarja Pelosi gjithashtu preku dhe problemin e Irakut dhe tha se Presidenti po ndjek polikën e strucit, duke mos pranuar të shohë problemet atjeshme, gjë që ka shkaktuar pasoja serioze për ekonominë amerikane.

Zonja Pelosi tha se marrëveshja e fundit me republikanët dhe Presidentin mbi 150 miliard dollarë për paketën për stimulimin e ekonomisë, ku u lanë mënjanë interesat partiake, mund të inkurajojë vazhdimin e bashkëpunimit gjatë muajve të ardhshëm, por vetëm në qoftë se Presidenti merr iniciativën.

“Për të pasur një bashkëpunim jashtë interesave partiake, duhet të kesh të njëjtat vlera ose duhet të jesh në një pozicion të tillë ku duhet të negociosh. Shpresoj, kjo paketë do të shërbejë si një model se si ne mund të ecim përpara me shpresë që dhe emigracioni të mund të jetë njëri nga këto probleme”.

Në një fjalim dje, Presidenti Bush vlerësoi zonjën Pelosi dhe udhëheqësin republikan në Dhomën e Përfaqësuesve, John Boehner, për bashkëpunimin midis tyre rreth planit stimulues që përfshin rikthim parash nga taksat, duke bërë thirrje për të shmangur çdo vonesë për miratimin e ligjit nga Kongresi.

“Kjo është paketë e hartuar mirë dhe e nevojshme. Është e domosdoshme dhe ju duhet ta miratoni atë sa më shpejt që të jetë e mundur për t’i kthyer popullit të holla që do të ndihmojnë këtë ekonomi të qëndrojë e fortë”.

Presidenti i bashkangjiti kësaj dhe kërkesën për të rishqyrtuar dhe miratuar shprejt ligjin për përgjimin kundër terrorizmit dhe, gjatë kohes së mbetur në këtë post, uljet e taksave të bëhen të përhershme.

Në Shtëpinë e Bardhë, zëdhënësja Dana Perino iu përgjigj në këtë mënyrë një pyejte se çfarë mendon Presidenti që mund të arrijë me Kongresin dhe shumicën demokrate gjatë muajve të ardhshëm lidhur me dy probleme të brendëshme, me reformën në sistemin shtetëror të pensioneve dhe emigracionin:

“Sistemi shtetëror i pensioneve dhe emigracioni janë dy probleme të mëdha me të cilat përballet populli amerikan. Presidenti tregoi aftësi të vërteta udhëheqëse duke i shpalosur politikat deri në detaje. Ky Kongres ose ka qenë i paaftë ose nuk ka dashur t’i përfundojë këto. Nuk është realiste të pranosh se këtë vit ky Kongres do të merret me probleme kaq të mëdha”.

Rreth bashkëpunimit në të ardhmen, Senatori Reid tha dje se ai mendon që republikanët në Senat nëse shqetësohen se do të humbasin vende të tjera që do të shkojnë për demokratët në zgjedhjet e nëntorit, do të bënin mirë të tregonin më shumë vullnet për bashkëpunim.//kk//

XS
SM
MD
LG