Lidhje

Kosovë: Dy realitetet dhe dilemat e qytetit të ndarë të Mitrovicës


Tani që Kosova përgatitet të shpallë pavarësinë me mbështetjen amerikane dhe të Bashkimit Europian, ajo vazhdon të jetë e ndarë mes shumicës shqiptare që është pro pavarësisë dhe pakicës serbe që e kundërshton atë. Barry Wood i Zërit të Amerikës njofton nga Mitrovica, qyteti i dytë më i madh i Kosovës dhe ku ndarjet etnike janë më të mëdha se kudo tjetër.

Dy realitetet e Mitrovicës ndahen si me thikë nga lumi i rrëmbyer Ibër. E rrethuar nga male të ulët në tre anë të saj, qendra e Mitrovicës deri në vitin 1999 shtrihej në të dy brigjet e lumit. Por pas luftës, serbët u larguan për në veri ndërsa shqiptarët në jug. Megjithëse popullsia e jugut të Mitrovicës është shumë më e madhe, pjesa veriore dhe të 20 mijë banorët e saj përbëjnë zonën e vetme urbane me shumicë serbe.

Që nga viti 1999 mes dy anëve të vijës ndarëse ka patur pak komunikim.

Bojan Vasiç, student i juridikut në universitetin serb të Mitrovicës veriore, thotë se një shpallje e pavarësisë nga shqiptarët e Kosovës do të ishte e paligjshme por ai nuk pret që në veri të ketë trazira. "Nuk pres të ketë trazira këtu në veri sepse e thënë thjesht, njerëzit nuk do ta njohin shkëputjen e Kosovës. Njerëzit do ta hedhin poshtë atë dhe do të sillen sikur ajo të mos ketë ndodhur.”

Që kur Kombet e Bashkuara vendosën administratën e tyre në Mitrovicën veriore duke zëvendësuar atë serbe, veriu vazhdon të përdorë paranë serbe, flamurin serb, gazetat serbe dhe targat serbe për makinat.

Në pjesën jugore, administratori rajonal Gerrard Gallucci, e ka zyrën në katin e tretë të një ndërtese e cila dikur ishte bankë serbe. Zoti Gallucci thotë se pas qetësisë së jashtëme që duket në të dy anët e qytetit fshihet tensioni. "E rëndësishme është se këtu ne kemi një balancë, ndonëse shumë delikate, sidomos në veri. Mendoj se serbët dhe shqiptarët që jetojnë këtu e kuptojnë mjaft mirë sa e brishtë është situata."

Zoti Gallucci, diplomat amerikan në pension, thotë se Mitrovica mbetet e brishtë sepse një pjesë e mirë e popullatës është e armatosur. "Të gjithë kanë armë këtu, si në veri edhe në jug. Është për të ardhur keq fakti që këtu ka armë të mjaftueshme për të filluar një luftë të re."

Zyra e kryetarit të bashkisë të Mitrovicës jugore, Bajram Rexhepi, është në anën tjetër të rrugës, përballë asaj të zotit Gallucci. Nga të dyja zyrat mund të shikosh lumin Ibër, urën kryesore dhe garnizonin e madh francez në bregun jugor të lumit. Zotin Rexhepi e shqetësojnë provokimet që mund të ndezin dhunën kur të shpallet pavarësia. "Njerëzit mund të provokohen. Dua të them se shumica shqiptare dhe pakica serbe duhet të ushtrojnë vetëkontroll."

Pesëdhjetë vjet më parë, në Jugosllavinë socialiste, Mitrovica ishte relativisht e begatë, ishte një qytet industrial. Kompleksi minerar i Trepçës, me rrjetin e tij të shkritoreve, termocentraleve dhe objekteve të përpunimit në të dyja anët e lumit punësonin rreth 25 mijë njerëz të të gjitha etnive. Sot, uzinat e Trepçës janë të braktisura dhe të shkatërruara dhe ekspertët thonë se nuk ka shpresë për ndonjë rigjallërim të ndjeshëm. Papunësia në Mitrovicë është mbi 65 përqind.

Edhe pse pas pavarësisë këtu mund të mos ketë dhunë, ekonomia e qytetit është në gjendje të mjeruar.

Kjo, thotë administratori i OKB-së, Gallucci, është problemi më i madh i këtij qyteti. “Mund të shikosh burrat që mbushin kafenetë, të rinj që nuk kanë asnjë perspektivë për të gjetur punë. Janë pastaj njerëzit e moshes së mesme dhe më të moshuarit të cilët dikur sillnin ndonjë rrogë në shtëpi kurse tani jetojnë me aq sa mund të gjejnë."

Ekzistojnë shqetësime se ky kontingjent i madh të papunësh mund të provokohet lehtë nga ndjenjat nacionaliste.

KFOR-i ka shprehur besim se është në gjendje të ruajë qetësinë pavarësisht nga ajo që mund të ndodhë. Për njerëzit në të dy anët e lumit Ibër, trupat e KFOR-it, të cilat arrijnë në 16 mijë verë, përbëjnë një faktor sigurie në këtë situatë të tensionuar.//ii

XS
SM
MD
LG