Lidhje

Kreu i OSBE-së do të vizitojë Ballkanin


Kryeministri serb Vojisllav Koshtunica thotë se një marrëveshje e ofruar nga Bashkimi Evropian për bashkëpunim politik me Beogradin është kurth, që synon ta detyrojë vendin e tij të pranojë pavarësinë e Kosovës.

Marrëveshja e BE-së e ofruar javën e kaluar, do të nxiste dialogun politik, do të lehtësonte kufizimet e vizave, dhe do të kërkonte zgjerimin e bashkëpunimit tregëtar dhe arsimor me Serbinë. Krerët evropianë e përshkruan atë si mënyrë për të nxitur përparimin e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Dje, ambasadorët e BE-së dhanë miratimin paraprak për zëvendësimin e misionit të OKB-së në Kosovë, me një mijë e 800 zyrtarë evropianë të policisë dhe administratës. Zoti Koshtunica tha sot, se marrëveshja për vizat dhe tregëtinë, së bashku me misionin e propozuar në Kosovë, do ta ndante Serbinë. Ai bëri thirrje për një seancë urgjente të parlamentit për ta diskutuar këtë çështje.

Muajin e kaluar, Kryeministri paralajmëroi BE-në, se do të duhej të zgjidhte mes përmirësimit të lidhjeve me Beogradin dhe përkrahjes ndaj pavarësisë së Kosovës. Ndërkohë, shefi aktual i OSBE-së, Ministri i Jashtëm finlandez, Ilka Kanerva do të zhvillojë një vizitë dy-ditore në Ballkan, për të diskutuar marrëdhëniet Serbi-BE dhe çështjen e Kosovës. Ai do të takohet me Ministrin e Jashtëm serb Vuk Jeremic dhe udhëheqës të tjerë të vendit. Zoti Kanerva pritet të shkojë pastaj në Prishtinë, për bisedime me presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi.//lk

XS
SM
MD
LG