Lidhje

Shtetet e Bashkuara njohin Kosovën megjithë kundërshtimet e Serbisë


Shtetet e Bashkuara së bashku me aleatët e tyre kryesorë evropianë njohën zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Presidenti Bush tha sot gjatë vizitës në Tanzani se “historia do të provojë se kjo ishte lëvizja e duhur” për të sjellë paqe në Ballkan.

Më parë, zoti Bush përshëndeti popullin e Kosovës dhe tha se Shtetet e bashkuara do të vendosin marrëdhënie diplomatike me shtetin e ri. Serbia e kundërshton me forcë pavarësinë e Kosovës që e kishte pjesë të territorit të saj. Grupet e serbëve sot sulmuan dy postblloqe që lidhin Kosovën veriore me Serbinë duke i vënë zjarrin njërës prej tyre. Nuk janë të qarta përmasat e këtij shkatërrimi.

Dje, presidenti serb Boris Tadiç i kërkoi Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon ta shpallë të pavlefshme pavarësinë e Kosovës. Anëtarët e Këshillit të Sigurimit, Rusia dhe Kina të cilat kanë të drejtë vetoje, e mbështetën këtë kërkesë duke thënë se kjo lëvizje e njëanëshme e Kosovës do të përbënte një precedent të rrezikshëm për lëvizjet separatiste në mbarë botën. //rd//

XS
SM
MD
LG