Lidhje

James Lyon: Ecuria e ngjarjeve varet nga rruga që zgjedh Serbia


Përfaqësuesi i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Beograd, James Lyon thotë se megjithëse sulmet ndaj ambasadës amerikane dhe ambasadave të tjera dukej të ishin vepër e grupeve të të rinjve me prirje ekstremiste, qeveria serbe mban një pjesë të mirë të përgjegjësisë. Zoti Lyon dha një intervistë mbrëmë për Zërin e Amerikës:

Zëri i Amerikës: Zoti Lyon, a mund ta përshkruani se çfarë ndodhi dje në Beograd?

James Lyon: Qeveria kishte bërë thirrje për një protestë masive para godinës së vjetër të ish-parlamentit fedaral jugosllav. Kur them qeveria, e kam fjalën veçanërisht për zotin Kostunica dhe për zotin Nikolic të partisë radikale, që përbëjnë de facto koalicionin qeverisës në parlament. Në demonstratë merrte pjesë një numër jashtëzakonisht i madh njerëzish, nëse shprehem me rezervë mund të them rreth 200 mijë, por lehtësisht mund të ishin 3 ose 4 herë më shumë se aq, pasi bëhej fjalë edhe për njerëz që ishin në rrugët dhe sheshet përreth. Disa thonë se mund të ishin rreth 1 milionë vetë. E rëndësishmja është që tubimi ishte i qetë. Ata thjesht po protestonin kundër pavarësisë së Kosovës dhe qëndrimi serb është i njohur që ata e konsiderojnë këtë veprim të paligjshëm, që Kosova është pjesë e Serbisë dhe që nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës. Më pas, të gjithë shkuan në një marshim drejt katedralës së shenjt Savës, kur mbajtën një shërbesë të madhe fetare përjashta. Jo të gjithë shkuan atje dhe një grup prej 1 mijë demonstruesish shkuan në rrugën e ambasadave dhe filluan të sulmojnë ambasadën amerikane dhe i vunë flakën. Ata gjithashtu sulmuan ambasadën kroate, goditën me gurë edhe ambasadën kanadeze dhe pastaj disa nga demonstruesit goditën me gurë dhe dëmtuan nga jashtë ambasadën italiane dhe atë britanike. Nga informacionet që mora, ata gjithashtu goditën ambasadën belge dhe hodhën gurë drejt asaj turke. Më pas ata shkuan në qendrën e Beogradit, duke plaçkitur dyqane.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët faktin që qeveria organizoi tubimin. A besoni se zoti Kostunica ose njerëzit e tij ishin pas këtyre ngjarjeve?

James Lyon: Nuk e di në se mund të themi që dikush ishte pas këtyre sulmeve. Duket se bëhet fjalë për grupe të djathta ekstremiste të rinjsh që organizohen përmes internetit, si edhe disa grupe klubesh tifozash të futbollit. Por qeveria e zotit Koshtunica sigurisht që ka një pjesë të madhe të përgjegjësisë për atë që ndodhi. Mbledhja e qeverisë ishte caktuar për në orën 5:00 pasdite, mjaft vonë duke e ditur që pas pak do të errësohej dhe dihet që njerëzit sillen ndryshe kur erret. Takimi mund të ishte mbajtur shumë mirë në orën 2:00 ose 3:00. Gjithashtu duket se ata kishin tërhequr gjithë forcat policore nga ambasadat. Që nga e diela dhe gjatë javës para ambasadës amerikane kishte pasur një kordon të dendur policësh, ndërsa sot nuk kishte kordon policor, nuk kishte mbrojtje për ambasadën dhe policisë iu desh rreth gjysmë ore të arrinte, gjë që të lë të besosh se kjo mund të ishte një mënyrë e kujdesshme e qeverisë për të shprehur pakënaqësinë me Shtetet e Bashkuara.

Besoj se ata (qeveria) po luajnë për interesa të politikës së brendshme dhe është e qartë që zoti Koshtunica do që të krijojë një shumicë të re parlamentare që të jetë anti-perëndimore, anti-evropiane dhe pro-ruse. Mendoj se nëse nuk harrojmë që ky është një nga synimet e tij kryesore, atëherë duket se veprimet e tij janë lehtësisht të shpjegueshme.

Përsa i takon komunitetit ndërkombëtar dhe perëndimit, sigurisht që ai (zoti Kostunica) nuk po bën miq me këto lëvizje.

Zëri i Amerikës: A mendoni se bëhej fjalë thjesht për një shprehje e zemërimit, një ngjarje e momentit, apo ky është sinjal i fillimit të problemeve të reja?

James Lyon: Është e vështirë ta parashikosh. Shumë do të varet nga Serbia dhe çfarë rruge do të ndjekë ajo. Tani për tani është shumë herët të thuash nëse do të ketë vështirësi të mëtejshme, apo do të jetë një ngjarje e veçuar.

Zëri i Amerikës: Nga këndvështrimi i Perëndimit, si duhet të reagojë tani diplomacia amerikane dhe ajo perëndimore?

James Lyon: Perëndimi ka vetëm dy rrugë: E para, mund që thjesht të presë qetësisht duke lejuar Serbinë që të kalojë momentin e vet të katarthisit, ose t’ia kthejë Kosovën Serbisë.

Serbia kënaqet vetëm nëse i kthehet Kosova. Nëse Perëndimi nuk do ta bëjë këtë, atëherë duhet të jetë i përgatitur për rezultatet e asaj që do të ndodhë brenda Serbisë, të cilat mund të mos jenë aq të këndshme.

Zëri i Amerikës: A mund të jetë kjo një përpjekje për një alternativë të tretë, për marrjen e pjesës së veriut të Kosovës, të populluar nga serbët?

James Lyon: Për momentin nuk do doja të spekulloja për mundësinë e ndarjes së Kosovës. Është herët të bëhen parashikime, sepse nuk dihet ende sesi do të zhvillohen ngjarjet. //kk//

XS
SM
MD
LG