Lidhje

NATO dhe Shqipëria dënojnë dhunën gjatë protestave në Beograd


Komandanti i Forcave të Bashkuara të NATO-s për krahun jugor me qendër në Napoli, admiral Mark Fitzgerald, deklaroi sot se protestat e dhunshme në Beograd janë destabilizuese për rajonin e Ballkanit.

Komandanti Fitzgerald i bëri këto komente gjatë një vizite në Tiranë ku diskutoi me autoritetet shqiptare për antarësimin e Shqipërisë në NATO dhe për ngjarjet në rajon. “Ne i konsiderojmë protestat në Beograd si shumë destabilizuese për rajonin dhe u kërkojmë drejtuesve të Serbisë që të tërheqin njerëzit prapa, duke i rikthyer nën kontroll. E drejta e cdo populli të lirë dhe demokratik është që të shprehë mendimet e veta, por askush nuk ka të drejtë të përdorë armët. - tha admiral Fitzgerald.

Nga ana tjetër misioni i NATO-s në Kosovë nuk ka ndryshuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Mandati i NATO-s është ruajtja e kufijve të Kosovës, dhe ruajtja e një atmosfere të qetë dhe të sigurtë atje. Ne po punojmë së bashku me OKB-në dhe me qeverinë e zgjedhur të Kosovës për të ruajtur këtë mjedis. KFOR ka forca të mjaftueshme për të mbrojtur cdo qytetar dhe po e bën këtë më së miri - tha ai.

Për protestat e dhunshme në Beograd kryeministri Sali Berisha tha se ato ishin ngjarje të dënueshme. “Ngjarjet e djeshme në Beograd janë të dënueshme. Të sulmosh ambasadat e vendeve të lira, do të thotë të rikujtosh të shkuarën millosheviçiane. Ngjarjet e djeshme në Beograd kishin disa realitete. Në tërësi, populli serb nuk iu përgjigj thirrjes dhe kjo duhet vlerësuar. Me gjithë mobilizimin e të gjitha mjeteve të transportit të Serbisë, shumica e serbëve dëshmuan dje se nuk e përqafonin protestën. Së dyti, ishte jashtëzakonisht e rëndë që Kryeministri i vendit thërret në mitingje për t’u rënë sirenave të nacionalizimit. Ishte edhe më e shëmtuar që grupe huliganësh, gangsterësh dhe njerëz të papërgjegjshëm u vunë zjarrin ndërtesave. Kjo është një rrugë që të çon drejt të shkuarës dhe jo drejt të ardhmes. Unë besoj se ky qëndrim është i kundërt me interesin e kombit serb,” - tha zoti Berisha.

XS
SM
MD
LG