Lidhje

Takim i Shqipërisë me Treshen Evropiane, Basha në Bruksel


Në Bruksel sot u zhvillua takimi i radhës i dialogut politik mes Shqipërisë dhe Treshes europiane, të përbërë nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për sigurinë dhe politikën e jashtme Havier Solana, drejtori i përgjithshëm për zgjerimin, Michel Leigh dhe përfaqësuesit e presidencës sllovene dhe presidencës së ardhshme franceze të BE-së. Në takim, ku Shqipëria përfaqësohej nga ministri i Jashtëm Lulëzim Basha, u analizuan hapat që Tirana ka kryer në kuadër të integrimit europian. Përfaqësuesi i lartë i bllokut, Havier Solana, vlerësoi arritjet e Shqipërisë.

“Ka qenë inkurajuese mënyra me të cilën Shqipëria po trajton problemet e vendit gjatë kohëve të fundit, procesin e reformave në shumë fusha që nga ekonomia, gjyqësori dhe te lufta kundër krimit të organizuar. Unë do të përshëndesja punën e deritanishme dhe dua të shtoj se kjo është rruga në të cilën Shqipëria duhet të vazhdojë”.

Nga ana e tij ministri i jashtëm i Shqipërisë e siguroi shefin e diplomacisë evropiane se Shqipëria po punon intensivisht në përmbushjen e detyrimeve për t’ju bashkuar familjes evropiane.

"Në emër të qeverisë shqiptare dua t’ju siguroj se Tirana është e vendosur të vazhdojë në rrugën e reformave. Ndryshimi i realitetit do të sjellë sfida dhe mundësi të reja. Një gjë është e sigurtë: Shqipëria tani e ka kuptuar realisht se kapërcimi i çdo sfide sjell një mundësi, dhe se çdo sfidë është një mundësi. Në këtë pikë ju duhet të jeni të sigurtë në vendosmërinë tonë për të vazhduar rrugën e reformave. Nuk ka rrugë tjetër për Shqipërinë".

Ministri Basha tha se përpjekjet e vendit të tij janë përqendruar tek një objektiv i vetëm, që është objektivi kryesor i Shqipërisë, tha ai, anëtararësimi në Bashkimin Evropian.

"Ne jemi të kënaqur me procesin e ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe vlerësimet që u bënë këtu. Ne jemi plotësisht të angazhuar për të bërë reformat dhe përpjekjet që nevojiten për këtë qëllim që të ecim sa më shpejt të jetë e mundur."

Kryediplomati shqiptar u shpreh se vendi i tij është i ndërgjegjshëm për sfidat dhe se janë të angazhuar për ti kapërcyer ato me sa më shumë efektivitet.

Zoti Solana vlerësoi edhe rolin konstruktiv të Shqipërisë për krijimin dhe ruajtjen e stabilitetit në Ballkan. Pavarësia e Kosovës ishte mjaft e rëndësishme për Bashkimin Evropian, për Shqipërinë dhe shumë e rëndësishme për stabilitetin në rajon.

"Duam bashkëpunim konstruktiv nga Shqipëria së bashku me vendet përqark për të ndihmuar në stabilizimin e Ballkanit, që do të prodhonte një atmosferë apo klimë që do ta ndihmonte gjithë rajonin që t’i afrohet Bashkimit Evropian.” //bsa//

XS
SM
MD
LG