Lidhje

Policia e UNMIK-ut fillon rikthimin në Mitrovicë


NATO-ja dhe policia e OKB-së po përpiqen të forcojnë kontrollet e hyrje-daljeve në kufirin e Kosovës me Serbinë. Ndërkohë, disa dhjetra policë të UNMIK-ut do të rifillojnë punën në qytetin e ndarë të Mitrovicës, ku ditët e fundit ka patur përleshje të ashpra mes protestuesve serbë dhe forcave ndërkombëtare.

NATO-ja dhe forcat e Kombeve të Bashkuara shtuan sot masat e sigurisë në kufirin e Kosovës me Serbinë, në përpjekje për të forcuar kontrollet e hyrjes së njerëzve në shtetin e ri. Veton Elshani, Kosovo Police Press Officer:

"Ne po përpiqemi për të rivendosur rrjedhën e komunikacionit, të trafikut dhe të kamionëve që hyjnë nga Serbia në Kosovë. Megjithatë, punonjësit e doganave ende nuk janë atje dhe do të vendoset nga shtylla e katërt e UNMIK-ut se kur do të kthehen ata dhe kur do të rifillojnë punën," - thotë Veton Elshani, zëdhënës i policisë së Kosovës.

Ndërkohë, policia e OKB-së vazhdon të kthehet gradualisht në veriun e Mitrovicës që kontrollohet nga serbët, ku nga dhuna e protestuesve të armatosur u vra një polic i OKB-së nga Ukraina dhe u plagosën dhjetra njerëz.

Rreth 40 policë të UNMIK-ut do të rifillojnë punën së bashku me 80 pjestarë të policisë lokale në Mitrovicë, ku përleshjet ishin më të ashprat që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës një muaj më parë. Dhuna ishte pasqyrim i kundështimit të Serbisë ndaj pavarësisë.

Të mërkurën, paqeruajtësit e NATO-s hoqën telat me gjemba nga ura që ndan këtë qytet ish industrial në dy pjesë, por mbi urë nuk pati kalim makinash. Policia e OKB-së filloi të kthehet pas premtimit të serbëve se nuk do ta sulmonin, tha një zëdhënës i OKB-së.

Policia e OKB-së u largua nga Mitrovica, duke lënë në kontroll paqeruajtësit e NATO-s pas përplasjeve me protestuesit serbë të cilët pushtuan gjykatën e OKB-së. Si përforcime u dërguan trupa amerikane të stërvitur në shuarjen e trazirave.

Përleshjet në Mitrovicë janë dënuar nga komuniteti ndërkombëtar dhe kanë shtuar shqetësimet për destabilizim në Kosovë. Incidentet e fundit të dhunës duket se do ta vonojnë vendosjen e misionit të Bashkimit Europian, EULEX në Mitrovicë.

Bashkimi Europian ende nuk është vendosur në veriun e Kosovës siç parashikohej në marrëveshjen që i hapi rrugën shpalljes së pavarësisë. Udhëheqësit serbë kanë thënë se nuk do ta lejojnë misionin EULEX të vendoset në zonat e kontrolluara nga serbët. :

XS
SM
MD
LG