Lidhje

Sarkozi: Nuk përjashtojmë mundësinë e bojkotit të Lojrave Olimpike


Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, tha se vendi i tij nuk do të përjashtojë mundësinë e një bojkoti të Lojrave Olimpike të Pekinit, në rast se Kina nuk i trajton me përgjegjësi trazirat e kohëve të fundit në Tibet.

Kina kritikoi veprimtarët e të drejtave të njeriut që shkaktuan ndërprerje në ceremoninë e ndezjes së pishtarit olimpik për Lojrat e Pekinit që u zhvillua dje nën masa të rrepta sigurie në qytetin antik grek të Olimpit, duke thënë se veprimet e tyre ishin të “turpshme”.

Duke folur sot për gazetarët në Pekin, zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze u bëri thirrje autoriteteve të vendeve, ku do të kalojë pishtari, që të sigurojnë kalimin pa probleme të pishtarit. Zëdhënësi i cilësoi përpjekjet për sabotimin e udhëtimit të pishtarit si “jopopullore”.

Media kineze nuk i ka përmendur fare protestat e djeshme në qytetin antik grek të Olimpit, madje e cilësuan ceremoninë e ndezjes së pishtarit olimpik si sukses. Media e transmetoi ceremoninë, po jo kur protestuesit u përleshën me forcat e sigurimit dhe ndërprenë fjalimin e shefit të komitetit organizator kinez të Lojrave Olimpike. //bsa//

XS
SM
MD
LG