Lidhje

Evropianët do të udhëtojnë të lirë brenda kufijve të tyre


Udhëtimi pa kontrollet e pasaportave në Evropë është shtrirë së fundi edhe në pikat kufitare të kontrollit nëpër aeroportet e 9 vendeve të tjera, kryesisht shtete ish-komuniste. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Budapest, thotë se zgjerimi i zonës së lëvizjes së lirë do të lejojë 400 milionë njerëz të udhëtojnë pa kurrfarë kufijsh, në atë që quhet ”Zona Shengen”.

Qytetarëve të 24 vendeve anëtare të zonës Shengen, nuk do t’iu kërkohet më kontrolli i pasaportave në aeroportet e Maltës dhe 8 vendeve të tjera të BE-së, që iu bashkuan kësaj organizate në vitin 2004. Mes këtyre vendeve janë edhe shtetet ish-komuniste: Hungaria, Polonia, dhe Republika Çeke, Estonia, Letonia, Lituania Sllovakia dhe Sllovenia.

Zona "Shengen" e ka marrë emrin prej një fshati të vogël në Luksemburg, ku 5 qeveritë europiane që e themeluan këtë marrëveshje, ranë dakort në vitin 1985, që të shfuqizonin kontrollin e kufijve. Kjo marrëveshje tani është pranuar dhe nga 22 shtete plus vendet jo anëtare të BE, Islanda dhe Norvegjia.

Kontrollet e kufijëve tokësorë dhe bregdetarë, tashmë janë shfuqizuar mes vendeve të Bashkimit Evropian, duke i lejuar europianët që të udhëtojnë nga Norvegjia për në Portugali, pa asnjë kontroll kufitar.

Komisioneri Evropian për Transportet, Zhak Barrot, sugjeron se dhe heqia e kontrolleve nëpër aeroporte do të revolucionarizojë udhëtimet ajrore për rreth 400 milionë njerëz. Ai thotë se “Zgjerimi i zonës Shengen me 24 shtete do të thotë që pasagjerët e kësaj zone, tashmë mund të lëvizin lirisht, pa iu nënshtruar asnjë lloj formaliteti”.

Ai pranon se linjat ajrore do të vazhdojnë kontrollet e identifikimit në kufi dhe shton se kontrollet do të vazhdojnë për çdo fluturim, pa marrë parasysh destinacionin për shkaqe sigurimi. Por, ai thotë se kjo masë është simbol i ndryshimit dhe se “lëvizja e lirë e njerëzve paraqet një prej kapitujve thelbsorë të marrëveshjes së Shengenit europianë”. Por megjithatë, ka patur reagime të ndryshme nga pasagjerët europianë që mbërrijnë në aeroportin e Lubljanës, kryeqyteti i Sllovenisë, që aktualisht mban presidencën e radhës të Bashkimit Europian.

Irena Grosjel ka udhëtuar nga Viena. Ajo thotë: “Ishte më lehtë dhe më shpejt se herën e fundit që kam qenë këtu. Kur kalova tek kontrolli i pasaportës, askush nuk ma kontrolloi atë”.

Tomaz Pavlin është një tjetër pasagjer:

“Për kontrollin e pasaportave do të jetë më lehtë, natyrisht. Por nga ana tjetër, sistemi i sigurisë do të jetë më i vështirë” , - thotë ai.

Aeroportet e Budapestit, Talinit, Varshavës dhe Pragës do të ndërtojnë terminale të reja që të ndajnë fizikisht pasagjerët e vendeve që nuk i nështrohen kontrollit të pasaportave, nga pasagjerët që udhëtojnë nga vende të tjera, duke përfshirë këtu edhe Shtetet e Bashkuara. //lk

XS
SM
MD
LG