Lidhje

Bush takohet me udhëheqësit e Kroacisë, Shqipërisë, Maqedonisë

  • Paula Wolfson

Në fjalimin që mbajti në sheshin kryesor të Zagrebit, në praninë e udhëheqësve të Kroacisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë, presidenti Bush bëri një premtim. Ai tha se nëse këto vende kërcënohen, Amerika dhe aleanca e Natos do t'u gjendet atyre pranë. Askush nuk do të mund t'ju heqë lirinë, tha Presidenti Bush.

Kroatët mbushën sheshin e Shën Markut për të festuar duke qëndruar përpara katedrales së gurtë që ngrihet aty prej shekujsh. “Kjo kishë në këtë shesh ndodhet këtu që nga Mesjeta. Gjatë shekujve ajo ka provuar dimra të gjatë dhe të errët të pushtimit, tiranisë dhe luftës. Por pranvera erdhi më në fund.” I ardhur nga takimi i Natos që pranoi Kroacinë në aleancë, presidenti Bush foli për vendin që la pas një të kaluar të trazuar për tu bërë shtet i lirë. “Populli kroat provoi luftën dhe mundimet për të ndërtuar marrëdhënie paqësore me fqinjët dhe për të ndërtuar një demokraci të pjekur në një nga vendet më të bukura të botës.”

Kroacia ishte një nga tre vendet e Ballkanit që u vlerësua nga udhëheqësit e Natos se kishte përmbushur kriteret e anëtarësimit. Shqipëria dhe Kroacia filluan procesin e pranimit. Ndërsa Maqedonia do të presë për një zgjidhje me Greqinë për emrin.

Udhëheqësit e të tre vendeve ishin në Zagreb për festime. Në praninë e tyre, presidenti Bush bëri një premtim. “Në se kërcënohen vendet tuaja, Amerika dhe aleanca e Natos do tu gjendet pranë. Dhe askush nuk do të mund t’ju heqë lirinë.”

Presidenti tha se Kroacia, Shqipëria dhe Maqedonia kanë dërguar trupa në Afganistan dhe se forcat shqiptare dhe maqedonase shërbejnë në Irak. Ai tha se si vende që kanë provuar jetën nën tirani, ato kanë shërbyer si shembuj për të tjerët. "Ka nga ata që mendojnë se ndoshta ishin më mirë nën tiraninë e tyre të vjetër. Mund t’u thoni se liria është e vetmja rrugë drejt begatisësë dhe paqes,” tha presidenti.

Kroatët e mirëpritën presidentin amerikan në vendin e tyre. Ja si u shpreh një kroat që kishte dalë për të parë presidentin Bush: ACT “Është fantastike. Një gjë të cilën mund ta shohësh vetëm në televizion po ndodh para syve tonë. Jam shumë i gëzuar për vizitën e tij në vendin tonë dhe për Kroacinë është e rëndësishme që të dërgojë mesazhin se ne jemi pjesë e botës së moderuar.”

Por kishte edhe nga ata që vizitën e presidentit Bush nuk e pritën me aq entuziazëm. Në një protestë kundër kësaj vizite protestuesit mbanin parrulla ku shkruhej: “ Stop Bushit, kriminelit numër një kundër mbrojtjes së ambientit,” Kalimtarët e rastit ftoheshin të shprehnin zemërimin e tyre përmes një pankarte të madhe pranë vendit ku mbahej protesta. Sidoqoftë duket se presidenti Bush e shijoi mikpritjen që iu bë në sheshin e Shën Markut. //ii

XS
SM
MD
LG