Lidhje

SHBA: Rritet në dekada numri i grave që punojnë gjatë shtatzanisë


Një anketë e fundit në Shtetet e Bashkuara pasqyron tendencën në rritje që kanë gratë shtatëzëna për të punuar deri në ditët e fundit para lindjes dhe për t’u kthyer në punë sa më shpejt pas saj.

Gati 40 vjet më parë, më pak se gjysma e grave amerikane vazhdonin të punonin ndërsa ishin shtatëzëna. Sot dy të tretat e tyre punojnë gjatë shtatëzanisë, pjesa më e madhe e tyre deri në ditën e lindjes. Loren Sueder është tetë muaj shtatëzënë. Ajo ka në plan të punojë deri në ditën e lindjes së foshnjes. "Më mirë të jem në punë sesa ulur në kolltuk, në pritje për të lindur."

Por shumë gra amerikane nuk kanë tjetër zgjidhje veçse të punojnë. Në Shtetet e Bashkuara nuk ka asnjë ligj që garanton leje lindjeje me pagesë. Sipas ligjit ekzistues vetëm ato kompani me të paktën 50 punonjës u kërkohet të japin leje lindje por kjo leje është pa pagesë. Shumë kompani të mëdha shkojnë përtej ligjit dhe u ofrojnë grave njëfarë leje të paguar pas lindjes.

Carol Evans punon për revistën Working Mother, Nënat në Punë. "Nënat që punojnë sjellin të ardhura të mëdha në buxhetin e familjes. Dekada më parë më pak se 20 përqind e nënave të reja ktheheshin në punë vitin e parë pas lindjes krahasuar me gati 60 përqind që e bëjnë këtë gjë tani."

Brenda Frese është trajnere e basketbollit për femrat në Universitetin e Marylandin. Ajo punoi deri disa ditë para se të lindte djemtë e saj binjakë dhe u kthye në ekipin e saj një javë pas lindjes. //ad//

XS
SM
MD
LG