Lidhje

Freedom House: Shtypi në Shqipëri nën presion politik dhe ekonomik


Organizata Freedom House publikoi në Uashington raportin vjetor për lirinë e shtypit në botë, sipas së cilit shtypi në Shqipëri vazhdon të jetë pjesërisht i lirë dhe nën presion politik dhe ekonomik. Sipas raportit, gazetarët në Shqipëri nuk i njohin të drejtat e tyre dhe autocensura është një dukuri mbizotëruese. Por Shqipëria është pjesë e një prirjeje shqetësuese për keqësimin e gjendjes së shtypit në Evropën Lindore dhe kudo në botë.

Mes 195 vendeve, Shqipëria radhitet në vendin e 105 në raport. Aty thuhet se qeveria e kryeministrit Sali Berisha ushtroi presion ndaj medias me prirje pro-opozitare gjatë gjithë vitit 2007. Karin Deutch Karlekar, studiuese e organizatës Freedom House the Redaktore Menaxhuese e raportit, tha për Zërin e Amerikës, se gjendja e shtypit në Shqipëri vitet e fundit ka qenë pak a shumë e pandryshuar.

“Duket se çfarëdo reformash që ishin ndërmarrë në këtë drejtim, kanë ngecur në vend. Nga njëra anë vihen re problemet e shkaktuara nga qeveria dhe një farë mungese vullneti për të përmirësuar gjendjen ligjore. Nga ana tjetër shihen vazhdimisht probleme me autocensurën, një nga problemet më të vështira për t’u zgjidhur, pasi shpesh gazetarët as nuk e pranojnë që po ushtrojnë autocensurë”.

Zonja Karlekar thotë se këto probleme e kanë shqetësuar Shqipërinë prej kohësh dhe në vitin 2007 nuk pati ndonjë përmirësim. Freedom House thotë se megjithëse liria e informimit në Shqipëri është e garantuar me kushtetutë, zyrtarët shpesh u rezistojnë kërkesave të medias dhe gazetarët në përgjithësi nuk i njohin të drejtat e tyre ligjore.

Organet kryesore patën prirjen në vitin 2007 të mbështesnin ose njërin grupim politik ose tjetrin, megjithëse pati përmirësim në mbulimin e zgjedhjeve lokale. Organet e medias së shkruar kanë lidhje të hapura me partitë politike dhe grupet e interesave. Televizionet kryesore ndërkohë ndjejnë presionin e kompanive që japin reklamat.

Sipas raportit, mungesa e transparencës për pronësinë dhe financimet, e ekspozon median ndaj akuzave të pabazuara të ndikimit nga bota e krimit. Shumë gazetarë në Shqipëri punojnë pa kontrata.

Lidhur me Kosovën, zonja Karlekar thotë se ndoshta raporti i vitit të ardhshëm do të përfshijë një kapitull më vete për shtetin e ri.

“Mendoj se ka disa probleme që janë karakteristike për Kosovën përsa i takon polarizimit të popullsisë dhe medias. Por disa nga problemet besoj se janë karakteristike për gjithë rajonin. Do të jetë interesante të shohim më tej gjendjen në Kosovë. Shpresoj që gjendja në Kosovë të stabilizohet gjatë këtij viti dhe të mos ketë pasoja tek media”.

Drejtuesit e Freedom House thanë dje në prezantimin e rezultateve të raportit, në muzeun e ri të shtypit Newseum se në shkallë botërore, gjendja e shtypit në vitin 2007 u keqësua, me rënien më të madhe në Evropën Lindore dhe ish vende të Bashkimit Sovjetik.

Jennifer Windsor, Drejtore ekzekutive e organizatës Fredoom House, tha se raporti tregon se rënia në lirinë e shtypit këtë vit është dy herë më e madhe se përparimet.

“Jemi shumë të shqetësuar që kemi parë hapa mbrapa, edhe në vende që kanë ecur përpara përsa i takon aspekteve të tjera të lirisë. Ato kanë qenë jotolerante ndaj kritikave dhe mendoj se ky është gabim se çdo qeveri ka nevojë për informacion të saktë për atë që ndodh brenda vendit dhe duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për të garantuar lirinë e shprehjes”.

Nga 195 vendet e botës, 40 për qind kishin shtyp të lirë në vitin 2007, 25 për qind kishin shtyp pjesërisht të lirë dhe 35 për qind një shtyp jo të lirë. //kk//

XS
SM
MD
LG