Lidhje

Drejtuesit e industrisë së naftës para senatorëve për çmimet e larta


Ligjvënësit amerikanë morën në pyetje të mërkurën drejtuesit e industrisë së naftës lidhur me çmimin e lartë të saj. Kreu i komisionit juridik të senatit akuzoi kompanitë e naftës se po nxirrnin përfitime të jashtëzakonshme dhe kërkuan të dinin se cilat ishin masat që kjo kompani po merr për t’i vënë çmimet nën kontroll. Ndërkohë çmimet e karburantit vazhdojnë të rriten, edhe në prag të sezonit të pushimeve në Shtetet e Bashkuara, kur njerëzit bëjnë udhëtime të gjata.

Pothuajse çdo ditë, çmimi i naftës arrin rekorde të reja. E megjithatë, analisti i energjisë Kevin Savij paralajmëroi se çmimet do të rriten edhe më shumë.

“Tani po fillon sezoni i udhëtimeve dhe ka më shumë kërkesë për karburant. Se në ç’nivel do të qëndrojnë, varet nga fakti se ku duan t’i çojnë përfitimet pjesëmarrësit në treg”.

Për disa njerëz çmimi i lartë i naftës po bëhet i papërballueshëm. Për të folur për shqetësimet gjithnjë e më në rritje, ligjvënësit amerikanë thirrën drejtuesit e kompanive të naftës në Komisionit Juridik të Senatit të mërkurën. Senatori Riçard Dërbin u tregua i ashpër:

“Nuk ju shqetëson aspak ajo që po na bëni? Përfitimet që po nxirrni, kostoja që po u impononi familjeve, bizneseve të vogla, shoferëve, fermerëve? Nuk ju bën përshtypje që do të merrni një miliard më shumë nga qytetarët dhe ekonomia e Amerikës? A e shqetëson ndonjërin nga ju, ajo që po i bëni vendit?”

Drejtuesit e kompanive të naftës thanë se e kuptonin shqetësimin e konsumatorëve, por u dolën në mbrojtje fitimeve prej 36 miliardë dollarësh që ata nxorrën gjatë tre muajve të parë të këtij viti. Megjithëse ata këmbëngulën se fitimet e naftës përputhen me atë të industrive të tjera, senatori nga Uiskonsi Herb Kol tha se kjo nuk e bindte:

“Ju po nxirrni fitime të pashembullta. Kështuqë fakti është që industria juaj nuk ka problem të dyfishojë, apo trefishojë përfitimet tuaja. Edhe kur çmimet e karburantit kalojnë çdo kufi, ju nuk e keni problem të vazhdoni të rrisni fitimet. Kjo nuk është aspak e drejtë”.

Presidenti i kompanisë Shell, Xhon Hofmaister nuk kërkoi falje. Ai fajësoi për rritjen e çmimeve të naftës, shtimin e kërkesës globale dhe dobësimin e dollarit.

“Pavarësisht se mund të duket si një arsye jo interesante, këtu bëhet fjalë thjesht për ligjet e kërkesës dhe ofertës”.

Nënpresidenti i Eksonit Stivën Sajmon e pranoi se kompania e tij ka përfituar nga rritja e çmimeve të naftës, por tha se këto çmime përcaktohen nga tregu.

Nuk janë fitimet tona që rrisin çmimet që paguajnë konsumatorët. Është lënda e parë që na duhet të blejmë në treg për të nxjerrë prodhimet për konsumatorët”.

Drejtuesit e industrisë së naftës thanë se ligjvënësit duhet të mos merren me fajësime dhe paralajmëruan se masat ndëshkuese kundër kompanive të naftës do të dëmtonin vetëm kërkimet e ardhshme. Ata u kërkuan gjithashtu ligjvënësve që të heqin kufizimet për shpim në pjesë të Shteteve të Bashkuara, të cilat ata thonë se mund ta pakësojnë varësinë e vendit tek nafta e huaj.

XS
SM
MD
LG