Lidhje

Parlamenti i Kosovës miraton festat zyrtare, përfshirë 28 Nëntorin, 12 Qershorin


Parlamenti i Kosovës miratoi të premten me 46 vota pro, 32 kundër dhe me 9 të përmbajtur, projektligjin e diskutueshëm mbi festat zyrtare të Republikës. Pas disa shtyrjeve të mbledhjes parlamenti miratoi në një mbledhje të shkurtër dhe pa asnjë diskutim projektligjin e ndryshuar që sipas kryetarit të komisionit “Ad Hoc”, të parlamentit Fehmi Mujota përfshinë festat e të gjitha komuniteteve në Kosovë.

28 Nëntori dita e shqiptareve, 12 Qershori dita e paqes, 6 Marsi dita e Përkujtimit dhe e Respektit për Veteranet, 23 Prilli dita e turqve, 8 Prilli dita e romeve, 15 Shkurti dita e ashkalinjëve, 28 Shtatori dita e boshnjakeve 6 Maji dita e goranëve, dhe ditët tjera memoriale përcaktohen nga Qeveria e Republikës se Kosovës në konsultim me Presidentin e Republikës së Kosovës, nga të cilat dy ditë në konsultim me komunitetin serb të Kosovës", tha zoti Mujota.

Votimi i së premtes synon t'u japë fund debateve të ashpra që përcollën projektligjin e paraqitur nga qeveria e vendit për festat zyrtare, që parashihte njëmbëdhjetë festa, nga të cilat gjashtë me karakter fetar dhe 5 laike, por nuk kishte përfshirë 12 qershorin që në Kosovë shënohet si ditë e çlirimit që përkon me hyrjen e forcave të NATO-s në vitin 1999, dhe as 28 nëntorin dita e pavarësisë së Shqipërisë që në Kosovë shënohet si festë e flamurit kombëtare shqiptarë. Reagimet ishin të rrepta edhe për mungesën e ditës së të rënëve. Të tria këto data të premten u përfshinë në ligj por me emra të tjerë. Tani Kosova ka 21 festa të përcaktuara me ligj që dalin nga plani i zotit Marti Ahtisaari.

Por, projekt-ligji ka lënë pas vetes pakënaqësi të një pjese e deputetëve. Ramë Buja nga Partia Demokratike e Kosovës thotë se kjo ishte një zgjidhje më e mirë sesa ajo fillestare.

Janë futur në ligj dhe nuk janë më me deklarata dhe vendime te caktuara. Andaj ne e votuam këtë ligj, kaloi dhe besoj që pastaj ato që kanë mbetur pa u futur në ligj gjithsesi me rekomandime të qeverisë do të bëhen. Unë besoj se është arritur diçka, jo krejt çka është dëshiruar por shumica po", tha zoti Buja.

Por Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shpreh mospajtimin e thellë me ligjin e miratuar sot.

Sot është bërë një shkelje e vullnetit politik të popullit të Kosovës sa i përket datave të caktuara sepse është ndërruar emërtimi i ditëve tona të shënuara që i kemi gjatë historisë, prandaj konsideroj se është bërë një shkelje, është bërë një vendim i cili nuk i shkon në favor popullit shqiptarë sepse I ka datat e veta të caktuara", theksoi zoti Isufi.

Pakënaqësinë e vet e ka shprehur dhe Lulzim Zeneli nga Lidhja Demokratike e Dardanisë.

"Këtu kemi të bëjmë me një politikë që ka për bazë kursin ditor të propagandës ditore dhe sot kur jemi në këtë fazë kur nevojitet një politikë shumë e ndërgjegjshme dhe një politikë e përgjegjshme, kjo më së shumti I mungon Kosovës", tha zoti Zeneli

Ishte hera e parë në këta muaj që Parlamenti ka debatuar për një ligj që del nga plani I zotit Ahtisaari ndërsa të gjithë të tjerët janë miratuar pa diskutim.

Deri më 15 qershor, kur hyn në fuqi kushtetuta e Kosovës autoritetet synojnë të miratojnë në Parlament të gjitha ligjet që dalin nga plani i zotit Ahttisari i cili parasheh edhe vendosjen e një misioni të Bashkimit Evropian për të mbikëqyrur zbatimin e pavarësisë së Kosovës. Por vendosja e këtij misioni është kundërshtuar nga Beogradi dhe Moska zyrtare që nuk e kanë pranuar asnjëherë planin e zotit Ahtisaari.

XS
SM
MD
LG