Lidhje

Serbia: Do të fillojë funksionimi i pushteteve komunale në Kosovë


Ministri për Kosovën në qeverinë e Serbisë Sllobodan Samarxhic, paralajmëroi sot fillimin e funksionimit të pushteteve komunale në Kosovë në bazë të zgjedhjeve serbe të 11 majit.

Ministri serb i cili ka shkuar për një vizitë në zonat e banuara me pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë tha se kjo është me rëndësi për funksionimin e Serbisë përmes organeve të ligjshme.

Ai ka kërkuar që edhe Misioni i Kombeve të Bashkuara të punojë me personat që kanë fituar në ato zgjedhje. Por zgjedhjet lokale të Serbisë që u organizuan edhe në Kosovë më 11 maj, janë cilësuar të paligjshme dhe të pavlefshme nga Misioni i OKB-së dhe institucionet vendase të Kosovës.

Zyrtarë të UNMIK-ut thonë se autoriteti i vetëm për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë është Misioni i Kombeve të bashkuara, të paktën deri më 15 qershor kur hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës.

Zyrtarët vendas u kanë bërë thirrje serbëve të Kosovës që të jenë pjesë e institucioneve të ligjshme të Republikës dhe në këtë mënyrë të punojnë për mbrojtjen e interesave të këtij komuniteti.

Beogradi dhe serbët lokal kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës por edhe vendosjen e Misionit të Bashkimit Evropian, që do të mbikëqyrë vendimin për pavarësinë.

XS
SM
MD
LG