Lidhje

Amb. Lejgon: Shqipëria nuk ka bërë përparim në luftën kundër trafikut njerëzor


Raporti vjetor i departamenti amerikan të shtetit për trafikimin e qenieve njerëzore e renditi Shqipërinë në kategorinë e dytë, në grupin e vendeve nën vëzhgim. Pas gjashtë vjetësh, ky është një hap pas. Përfaqësuesi i Departamentit të Shtetit për çështjet e trafikimit njerëzor, ambasadori Mark Lejgon, thotë se arsyeja kryesore ka qenë mungesa e përparimit në ndjekjen penale të personave përgjegjës për këtë lloj trafiku. Ndërsa, për Kosovën, thotë ai, pas pavarësisë, ka ardhur koha që qeveria të marrë përsipër përgjegjësitë që i takojnë.

Shqipëria nuk ka bërë përpjekje të mjaftueshme në luftën kundër trafikimit, sidomos përsa i përket ndjekjes ligjore të trafikantëve. Sipas raportit, kjo e ka ulur Shqipërinë në grupin e vendeve nën vëzhgim. “Jemi të shqetësuar se nuk ka pasur shenja përmirësimi në ndjekjen penale të personave përgjegjës për trafikimin e qenieve njerëzore. Qeveria nuk ka vazhduar pёrgatitjen e policëve për luftën kundër trafikimit, kundër korrupsionit dhe gjithashtu mungon mbrojtja e viktimave dhe ndihma për riintegrimin e tyre në shoqëri.”

Shqipëria, thotë ambasadori duhet të marrë masa të menjëhershme për përmirësimin e përpjekjeve në luftën kundër trafikimit të qënieve njerëzore. “Duhet të rimiratohet plan-veprimi kombëtar për trafikimin e qenieve njerëzore i cili ka skaduar dhe të vazhdojë trejnimi i duhur për ta luftuar këtë fenomen. Po ashtu duhet të shtohet lufta kundër korrupsionit.”

Trafikimi i qenieve njerëzore është problem shqetësues për gjithë Ballkanin. Sipas raportit në disa vende vërehet prirja e rritjes së trafikimit të brendshëm. Ekonomia është një nga shkaqet kryesore. “Në vendet ku njerëzit janë të dëshpëruar dhe kërkojnë gjendje më të mirë ekonomike kriminelët dhe zyrtarët e korruptuar e shfrytëzojnë këtë.”

Kosova është përfshirë këtë vit në raport tek rastet e veçanta, meqenëse është një shtet i ri. Sipas ambasadorit Lejgon në Kosovë mbetet ende shumë punë për t’u bërë, sidomos për mbrojtjen e viktimave. “Duke marrë parasysh se Kosova sapo ka marrë pavarësinë, ka të dhëna inkurajuese, por është e qartë se qeveria duhet të marrë më shumë përgjegjësi për të punuar me shoqërinë civile në luftën kundër trafikimit njerëzor.”

Zoti Lejgon thotë se deri tani parandalimi i përhapjes së fenomenit të trafikimit në Kosovë është bërë nga organizatat joqeveritare, por tani është koha që qeveria e Kosovës të marrë përgjegjësinë e vet. //bsa//

XS
SM
MD
LG