Lidhje

Bush i bën thirrje Evropës për bashkëpunim me SHBA për probleme me përmasa globale


Presidenti Bush i bëri thirrje Evropës të punojë me Shtetet e Bashkuara lidhur me probleme të përmasave globale. Ai tha se ata duhet të përqëndrohen përtej problemeve transatlantike dhe të punojnë së bashku për arritjen e paqes në Lindjen e Mesme, frenimin e ekstremizmit islamik dhe t’iu kundërvënë kërcënimt që vjen nga Irani.

Presidenti Bush ka bërë hapa përpara në përmirësimin e marrëdhënieve Evropën Perëndimore, një objekt kryesor i mandatit të tij dytë presidencial. Pasi bëri betimin si president për herën e dytë në vitin 2005, ai shkoi në Bruksel ku bëri thirrje për një etapë të re në marrëdhëniet transatlantike.

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Stephen Hadley, tha se ka të dhëna se ka filluar një epokë e re duke përmendur udhëheqësit e rinj në pushtet në Itali, Britani, Gjermani dhe Francë.

“Kemi udhëheqës si Kryeministri Berlusconi, Kancelarja Merkel, Presidenti Sarkozi, të cilët janë të angazhuar për një Evropë të fuqishme dhe të vendosur që çon përpara vlerat e lirisë si brenda kufijve evropianë edhe përtej tyre”.

Zoti Hadley tha se Presidenti Bush do të mbajë sot një fjalim në Paris ku do t’u bëjë thirrje udhëheqësve evropianë të punojnë edhe më ngushtë me Shtetet e Bashkuara për të sjellë paqe dhe zhvillim në vendet në Lindjen e Mesme.

“Ai do të argumentojë se zhvillimi i shoqërive të lira dhe të përparuara në të gjithë Lindjen e Mesme është parësor për paqen në shekullin e 21-të ashtu si dhe zhvillimi i një Evrope të lirë dhe të përparuar ishte parësor për paqen në shekullin e 20-të”.

Zoti Hadley tha se Presidenti do të argumentojë domosdoshmërinë e një qëndrimi të bashkuar ndaj Iranit dhe riangazhimit të Atlantikut për të mbështetur Afganistanin. Shtëpia e Bardhë e ka quajtur fjalimin e sotëm në zyrat qendrore të Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik në Paris si momentin më kryesor të turneut të presidentit në Evropë.

Fjalimi mbahet pas takimeve në Itali, Gjermani dhe Slloveni, ku Presidenti Bush mori pjesë në takimin e përvitshëm të nivelit të lartë midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Gjatë qendrimit në Paris, zoti Bush gjithashtu do të takohet me Presidentin e Francës, Nikolas Sarkozi. Ky është takimin i tyre i parë zyrtar në tokën franceze. //iç//

XS
SM
MD
LG