Lidhje

Henry Waxman vë në pikëpyetje rolin e ambasadës amerikane në Tiranë lidhur me kontratën e kompanisë AEY


Komisioni për Mbikqyrjen dhe Reformën qeveritare i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan zhvilloi dje një seancë lidhur me arsyet që çuan në dhënien e kontratave kompanisë AEY me qendër në Miami, e cila blinte municione nga Shqipëria për t'i dërguar në Afganistan. Ndërkohë, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Tom Kejsi, përsëriti qëndrimin e një dite më parë se zyrtarët përkatës do të shqyrtojnë akuzat e ngritura, madje shtoi ai, në rast nevojë do të ndërmerret edhe një hetim zyrtar.

Komisioni për Mbikqyrjen dhe Reformën qeveritare mori dje në pyetje 3 zyrtarë të Departamentit të Mbrojtjes që merren me kontraktimin e armëve, William Phillips, Mitchell Howell dhe Jeffrey Parsons dhe një zyrtar i Departamentit të Shtetit, Steven Mull, ndihmës sekretar i shtetit në detyrë për çështjet politiko-ushtarake. Ligjet amerikane ndalojnë shitblerjen e armëve apo municioneve të prodhimit kinez dhe kompania AEY akuzohet se ka qenë e përfshirë në blerjen dhe transferimin e këtij lloj municioni që mbahej në depot e Shqipërisë.

Në seancën e djeshme, kryetari i komisionit Henry Waxman vuri në dyshim faktin që një kompani e drejtuar nga një 21-vjeçar fitoi një kontratë prej 300 milion dollarësh për furnizimin me municion të forcave afgane. Zoti Waxman tha se municioni i livruar nga kjo kompani ishte i papërdorshëm dhe se një pjesë e mirë e tij ishte i prodhimit kinez. Kemi mësuar gjithashtu, tha kryetari i komisionit, se ekzistojnë pikëpyetje lidhur me rolin e ambasadës amerikane në Shqipëri në përpjekje për të fshehur origjinën kineze të municionit, që blihej nga kompania AEY.

Në takimin e përditshëm me gazetarët dje, një ditë pasi kjo çështje arriti instancat më të larta në Departamentin e Shtetit me letrën që kryetari i komisionit Waxman i dërgoi Sekretares së Shtetit Konsolisa Rajs, zëdhënësi i këtij departamenti Tom Kejsi, tha se zyrtarët e politikës së jashtme do t'i shqyrtojnë akuzat, të cilat ia i quajti "shumë serioze".

"Mbi të gjitha këto janë akuza shum[ serioze dhe pa dyshim që Departamenti gjithnjë e trajton me seriozitet çdo akuzë që bëhet. Ne nuk kemi ndonjë informacion që mbështet këto akuza, të bëra kundër një diplomati kariere për 24 vjet me rradhë dhe që ka shërbyer me dinjitet në shumë pjesë të botës. Prandaj Ambasadori Withers meriton që akuzat e ngritura kundër tij dhe ambasadës në Tiranë të shqyrtohen në mënyrë të drejtë dhe transparente".

Zëdhënësi Kejsi shprehu besimin se në përfundim të procesit hetimor do të dalë se ambasada amerikane veproi në përputhje me ligjin.

"Në deklaratën që bëri Ambasadori Withers, e cila u publikua nga ambasada jonë në Tiranë, ai shpreh besimin se çdo proces hetimor do të dalë në përfundimin se asmbasadori dhe personeli i tij vepruan si duhet. Dhe unë nuk kam asnjë dyshim të mendoj se përfundimi do të jetë ndryshe".

Zyrtarët ushtarakë që dëshmuan dje në seancë thanë se kontrata me kompanisë AEY ishte bërë në përputhje me rregullat por, thanë ata, nevojitet që në të ardhmen të forcohen standardet e kontrollit për këto kontrata.

Seanca e djeshme u prit me interes sidomos për vetë faktin që kryetari i Komisionit për Mbikqyrjen dhe Reformën qeveritare i Kongresit amerikan, Henry Waxman i kishte dërguar sekretares amerikane të shtetit Kondoliza Rajs një letër, ku hidhte dyshime mbi ambasadorin amerikan në Tiranë John Withers se ka gisht në fshehjen e origjinës së municioneve që bliheshin në Shqipëri.

Gjatë seancës ndihmës sekretari i shtetit në detyrë për çështjet politiko-ushtarake, Steven Mull nuk pranoi të komentonte lidhur me këto njoftime, por duke iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të komisionit, ai tha se Departamenti i Shtetit do t'u përgjigjet këtyre akuzave serioze përmes kanaleve të duhura pasi të grumbullojë informacionin e duhur. Megjithëse nuk pranoi të jepte hollësi, zoti Mull tha se çdo shkelje e ligjit amerikan do të ishte e papranueshme.

Komisioni ka intervistuar në fillim të muajit atasheun ushtarak të ambasadës amerikane në Shqipëri Larry Harrison, i cili flet për një takim të zhvilluar në nëntor të vitit të kaluar mes ish ministrit shqiptar të Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe ambasadorit amerikan në Tiranë, John Withers e zyrtarëve të tjerë të ambasadës. Sipas majorit Harrison, ambasadori Withers u shpreh në atë takim se heqja e municionit kinez do të lehtësonte dyshimet për shkelje ligji. Letra e zotit Waxman drejtuar sekretares së shtetit Rajs le të kuptohet se ambasadori Withers e dinte që municioni ishte i prodhimit kinez.

Kryetari i Komisionit Waxman ka bërë një kërkesë tjetër për dokumenta shtesë mbi takimet e diplomatëve të ambasadës amerikane me zyrtarë të Ministrisë shqiptare të Mbrojtjes. (ze)

XS
SM
MD
LG