Lidhje

SHBA: Kriza e Madhe e viteve '30 dhe gjendja e sotme e ekonomisë


Ekonomistët kanë filluar të bëjnë paralelizëm midis ekonomisë së tanishme amerikane dhe periudhiudhës së Krizës së Madhe ekonomike të viteve 1930. Gazetarja për ekonominë dhe historiania e njohur Amity Shlaes paralajmëron në librin e saj të ri The Forgotten Man - Njeriu i Harruar, se do të ishte gabim të përsëriteshin politikat qeveritare të periudhës së Krizës së Madhe.

Marrëveshja e Re u paraqit nga Presidenti Franklin Roosevelt mes viteve 1933 dhe 1938 për të reformuar sistemin financiar amerikan dhe për të gjallëruar ekonominë gjatë periudhës së Krizës së Madhe. Në librin e saj, Amity Shlaes thotë se kjo politikë asnjëherë nuk pati sukses për të ndihmuar njeriun e harruar në fundin e piramidës ekonomike. Ajo përpiqet në librin e saj të tregojë se aktivizmi i qeverisë federale – duke përdorur shpenzimet qeveritare dhe programet sociale për të rimëkëmbur ekonominë, nuk funksionoi.

"Pamë shumë ligje të mbrapshta që u formuluan në emër të politikave dhe rimëkëmbjes që në fakt ngadalësuan ekonominë. Ngritëm çmimet e fuqisë punëtore në Shtetet e Bashkuara, kur miratuam ligjin e famshëm të punës në vitin 1935. E rritëm këtë çmim në një kohë kur kompanitë nuk mund ta përballonin atë dhe kjo solli probleme duke kontribuar në depresionin e asaj kohe".

Gazetarja dhe ekspertja e Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë beson se asnjë zhvillim i vetëm ekonomik nuk i ka transformuar politikat amerikane më shumë sesa Depresioni i Madh. Që nga kriza e madhe e tregut të aksioneve në vitin 1929 deri në hyrjen e Shteteve të Bashkuara në Luftën e Dytë Botërore, ekonomia e vendit ngeci, me një nivel të papunësisë në gati 20 përqind. Fillimisht nën politikat e presidentit Herbert Hoover dhe më pas nën ato të Franklin Rooseveltit, thotë zonja Shlaes, qeveria federale u bë gjithnjë e më ndërhyrëse duke u bërë më e madhe sesa vetë shtetet.

"Mësimi i parë është se kjo përqasje nuk është aq ndihmëse dhe nuk i ndihmoi Shtetet e Bashkuara në vitet 30. Mësimi i dytë mendoj se është që politikat monetare janë shumë e rëndësishme. Amerika kishte një deflacion të tmerrshëm në atë periudhë dhe Roosevelti u përpoq ta zgjidhte atë duke arritut të bënte diçka".

Autorja argumenton se gjatë viteve 1930, qeveria federale mendoi se pushteti i saj ishte i nevojshëm për ta nxjerrë vendin nga depresioni, kështu që Roosevelti njoftoi një Marrëveshje të Re për popullin amerikan. Ai shtoi subvencionet për fermerët, ndryshoi sistemin bankar dhe krijoi Administratën për Rimëkëmbjes Kombëtare e cila rregullonte shumë aspekte të biznesit derisa u shpall jokushtetuese në vitin 1935. Me krijimin e sistemit të Sigurimeve Shoqërore dhe programeve që lidhen me të, Amity Shlaes thotë se presidenti Roosevelti zgjeroi ndikimin e qeverisë federale, shtoi personelin e saj dhe krijoi botën politike në të cilën jetojmë tani. Ajo thotë se presidenti i ardhshëm amerikan nuk duhet të rivendosë të njëjtat mundësi ndërhyrjeje si Roosevelti në ekonominë e tanishme të dobësuar.

"Në se Barack Obama ose John McCain do të vinin e të thoshin – na duhet një instrumet me një forcë të paimagjinueshme, siç bëri Roosevelti kur erdhi në postin e tij, kjo do të trembëte tregun dhe ne të gjithë do të paguanim pasojat e saj".

Në librin e saj The Forgotten Man, gazetarja Shlaes thotë se mendimi i tanishëm është se Marrëveshja e Re ishte modeli më i mirë që kemi për atë çfarë mund të bëjë qeveria për shtresat e ulta të shoqërisë, si në kohë krizash ashtu edhe në kohën e një stabiliteti ekonomik. Por ajo argumenton se si presidenti Hoover edhe Roosevelt mbivlerësuan vlerat e planifikimit, intensifikuan dhe i shtynë të njëjtat probleme që kërkonin ti ndreqnin. Ajo thotë se politikat e Marrëveshjes së Re nuk duhet të modifikohen për tu përshtatur në ekonominë e sotme.

"Duhet të kemi një arsim të lartë më të mirë, kemi nevojë për një sistem të thjeshtë me taksa të uta, duhet ta çojmë sistemin e sigurimeve shëndetësore më shumë drejt sektorit privat. Kontributet tona për çështjet sociale janë më pak sesa në Evropë, dhe ne kemi pasurinë dhe besimin për ti reformuar ato. Pra për të mënjanuar ngecjen ekonomike në Shtetet e Bashkuara duhe të bëjnë të gjitha këto".

Libri The Forgotten Man vë një theks të veçantë në ata që nuk përfituan nga programet e Marrëveshjes së re dhe sesi atyre iu desh të paguanin për shpenzimet e mëdha qeveritare. Amity Shlaes thotë se beson se realiteti më i rëndësishëm për tu mbajtur mend nga brezi ynë është se pa politika të reja qeveritare, fëmijët tanë do të duhet të paguajnë çmimin.

XS
SM
MD
LG