Lidhje

O’Hanlon: Paqja në Ballkan kërkon përkushtim të udhëheqësve të rajonit dhe komunitetit ndërkombëtar


Rajoni i Ballkanit në 10 vjeçarin e fundit të shekullit të kaluar ishte rajon i luftërave dhe dhunës të cilat lanë viktima të shumta dhe miliona të zhvendosur. Por me ndërhyrjen e bashkësisë ndërkombëtare në rajon është kthyer stabiliteti dhe vendet e kanë hedhur vështrimin drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Por a ekziston rreziku i prishjes së paqes? Mosmarrëveshjet rreth pavarësisë së Kosovës, që nuk pranohet nga Serbia, shihen si një prej burimeve tëmundshme të dhunës.

Bashkësia ndërkombëtare në asnjë mënyrë nuk duhet të ndërhyjë me dhunë në pjesën veriore të Kosovës nëse serbët tentojnë të shkëputen nga Kosova. Kështu thotë Mike O’Hanlon, ekspert i sigurisë ndërkombëtare në Insitutin Brookings në Washington.

“Komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të ndërhyjë ushtarakisht për të ndaluar serbët e veriut që të shkëputen nga Kosova. Por sfida sot është para udhëheqësjes së Kosovës për t’i trajtuar serbët më mirë se sa i trajtoi shqiptarët Serbia dhe t’i integrojë ata në shtetin e ri të Kosovës.”

Zoti O’Hanlon mendon se udhëheqjes së Kosovës i duhet bërë presion, por njëkohësisht, Serbia, shton ai,nuk duhet të përzihet dhe të marrë një rol të njejtë siç ka marrë Rusia në rajonet me popullatë ruse të Gjeorgjisë. Për sa u përket serbëve të Kosovës, zoti O’Hanlon thotë se ata duhet ta kuptojnë se tani jetojnë në një shtet me shumicë shqiptare dhe ta pranojnë atë. Në këtë situatë të re, sipas tij,çdonjëra palë ka detyrime që duhet t’i përmbushë, në mënyrë që të ruhet stabiliteti.

Realiteti i ri padyshim paraqet shumë sfida për shtetin e ri të Kosovës, i cili duhet të ndërtojë institucionet që përcaktojnë një shtet, siç është ushtria, shërbimi i zbulimit etj. Por sipas zotit O’Hanlon, Kosova duhet t’i shmanget gjithsesi krijimit të një ushtrie, synimi i së cilës, do të ishte përballimi i ushtrisë serbe.

“Mendoj se ushtria e Kosovës duhet të jetë e një madhësie modeste dhe nuk ka arsye të mundohet të konkurrojë me Serbinë, sepse një gjë e tillë, pikë së pari do të falimentonte ekonominë e Kosovës. Ndërsa përsa i përket çështjeve të brendshme, Kosova duhet të krijojë njësite të përziera me grupe të ndyshme etnike, të cilat do të mund të ndihmonin në rajone si Mitrovica. Një praktikë e tillë është provuar e sukesshme në Irak.”

Zoti O’Hanlon thotë se është me rëndësi që të ketë një trajtim të barabartë të të gjithë qytetarëve dhe për këtë duhet të krijohen institucione që do të verifikonin një gjë të tillë.

“Duhet të krijohen gjykata dhe një sistem i pavurur hetues, në mënyrë që qytetarët trajtohen njësoj.Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, atëhere njerëzit përgjegjës duhet të largohen nga detyra. E di qëkjo është shumë më lehtë të thuhet se të bëhet, por kjo është mënyra që duhet të ndiqet. Pra institucione të pavarura që kanë juridiksion për të hetuar. Pra fjala kyçe këtu është të pavarura.”

Megjithëse rajoni i Ballkanit do të ballafaqohet me sfida të mëdha, zoti O’Hanlon mendon se paqja do të ngadhnjejë, por për këtë duhet një përkushtim si i udhëheqësve të rajonit, ashtu edhe i bashkësisë ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG