Lidhje

SHBA mund të arrijnë së shpejti marrëveshje me Poloninë për sistemin e raketave


Shtetet e Bashkuara thanë dje se presin të përfundojnë një marrëveshje për hapjen e një baze mbrojtjeje nga raketat në Poloni, megjithë sugjerimet se negociatat janë bllokuar. Ky sistem synon t'i përgjigjet një sulmi të mundshëm me raketa nga ana e Iranit apo ndonjë vendi tjetër të papërgjegjshëm.

Zyrtarë amerikanë shprehën besimin se bisedimet me Poloninë rreth sistemit të raketave mund të përfundojnë me sukses brënda disa ditësh, megjithë një koment të Varshavës se negociatat kanë ngecur dhe njoftimet e lajmeve se Lituania mund të jetë një alternativë për hapjen e bazës.

Administrata e presidentit Bush ka kërkuar që të dislokojë 10 raketa interceptuese në Poloni dhe një bazë radarësh në Republikën Çeke si pjesë e sistemit, që synon të kundërsulmojë raketa me rreze të gjatë veprimi, që Irani mund të prodhojë brënda pak vjetësh.

Zyrtarët amerikanë thanë se një marrëveshje tentativë me Republikën Çeke është gati të arrihet, por një negociator polak u citua të ketë thënë dje se bisedimet me Uashingtonin kanë ngecur. Ndërkohë vizita në Uashington këtë javë nga kryeministri lituanez, Gediminas Kirkilas, ka nxitur spekullime në shtyp se ky shtet baltik mund të jetë alternativë për bazën në vend të Polonisë.

Në konferencën e shtypit, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tom Kejsi, tha se Shtetet e Bashkuara kanë diskutuar rreth mbrojtjes nga raketat me Lituaninë bashkë me vende të tjera të NATO-s, por thanë se fokusi i përpjekjeve amerikane vazhdon të jetë Polonia.

"Për momentin ne nuk po zhvillojmë negociata për një bazë alternativë sepse objektivi ynë është që të arrijmë një marrëveshje me Poloninë. Nëse për ndonjë arsye, këto negociata nuk përfundojnë me një marrëveshje, atëhere me siguri që ne do të shqyrtojmë vende të tjera. Jam i sigurtë se zyrtarët në Agjencinë e Mbrojtjes nga Raketat kanë një farë ideje se cila është mënyra më e përshtatshme teknikisht. Por lidhur me diskutimet, me sa di unë, ne jemi ende të përqëndruar tek Polonia".

Thuhet se Polonia po kërkon modernizimin nga Shtetet e Bashkuara të mbrojtjes së saj ajrore, që do të kushtonte miliarda dollarë, në këmbim të bazës për sistemin amerikan të mbrojtjes nga raketat. Kryeministri polak, Donald Tusk, tha dje se qeveria e tij është e angazhuar në negociata konstruktive, por mohoi që bisedimet të kenë ngecur.

Një zyrtar i Departamentit të Shtetit tha se pret që marrëveshja me Poloninë të arrihet brënda një ose dy javësh, por shtoi se nuk është e qartë nëse ajo mund të finalizohet para vizitës që Sekretarja e Shtetit, Kondolisa Rajs, pritet të bëjë në Evropë nga fundi i këtij muaji. (ze)

XS
SM
MD
LG