Lidhje

Ekonomia amerikane po provon papunësinë


Ekonomia amerikane ka pësuar një humbje neto prej 62 mijë vende pune, ndërkohë që ritmet e papunësisë kanë qëndruar të pandryshuara në 5.5 për qind.

Raporti i sotëm nga Departamenti i Punës tregon se ekonomia amerikane ka humbur më shumë vende se ç’janë krijuar për të gjashtin muaj radhazi.
Deri tani këtë vit, ekonomia amerikane ka shkurtuar 438 mijë vende pune, në dallim të ndjeshëm nga viti 2007, kur mesatarisht shtoheshin 70 mijë vende pune në muaj.

Por Sekretarja amerikane e Punës Elaine Chao tha në një intervistë për rrjetin "Bloomberg", se shifrat e papunësisë janë përsëri më të mira se në vitet ’90.

Një raport tjetër i një shoqate që përfaqëson biznesin amerikan, thekson se gjatë muajit të kaluar u vërejt një tkurrje e ndjeshme në sektorin e shërbimeve, e shkaktuar nga rritja e kostos dhe rënia e kërkesës. Sektori i shërbimeve është shumë i larmishëm dhe përfshin ndër të tjera edhe bankat dhe shoqëritë e fluturimeve dhe përfaqëson 80 për qind të ekonomisë.

Ekonomia amerikane është dëmtuar nga rritja rekord e çmimeve të naftës dhe nga rënia e çmimit të shtëpive, kufizimi i kredive të dhëna nga bankat dhe rënia e besimit të konsumatorëve.

Problemet ekonomike mund të shkaktojnë rënie të shpenzimeve të konsumatorit, që përbëjnë 2 të tretat e aktivitetit ekonomik në Shtetet e Bashkuara.//lk

XS
SM
MD
LG