Lidhje

Aktivistët e lobit shqiptar, SHBA të ndihmojnë në njohjen e Kosovës nga më shumë vende


Dy aktivistë të njohur të lobit shqiptar këtu në Shtetet e Bashkuara thonë se është shumë e rëndësishme që qeveria amerikane të vazhdojë të qëndrojë në krye të procesit për njohjen e pavarësisë Kosovës nga vende të tjera të botës. Joseph Dioguardi dhe Shirley Cloyes kërkojnë të bindin udhëheqës në Kongresin amerikan që Shtetet e Bashkuara të tregohen më agresive politikisht dhe diplomatikisht me aleatët e tyre për të njohur Kosovën.

Ish ligjvënësi amerikan dhe kryetari i Lidhjes Civile Shqiptaro-Amerikane, Joseph Dioguardi thotë se megjithëse pavarësia e Kosovës u njoh nga Shtetet e Bashkuara, asaj i mungon një sovranitet i vërtetë. Sipas tij, ndarja de fakto e Kosovës dhe trysnia e Rusisë dhe e Serbisë për ta mbajtur atë si një shtet të izoluar nga vendet e tjera shtrojnë nevojën e një diplomacie më agresive nga ana e Shteteve të Bashkuara që Kosova të njihet nga më shumë shtete.

“Ne duhet të shtyjmë Shtetet e Bashkuara të jenë më agresive politikisht dhe diplomatikisht me aleatët për të njohur Kosovën. Po i bëjmë thirrje Kongresit, Departamentit të Shtetit dhe CIAs se nuk ka asnjë zgjidhje tjetër përveç që Shtetet e Bashkuara të qendrojnë në krye të këtij procesi. Bashkimi Evropian është i ndarë. Siç e dimë nga 27 vende vetëm 20 në BE e kanë njohur Kosovën. Pra, Shtetet e Bashkuara janë ato që mund ta zgjidhin problemin”.

Ekspertja për çështjet e Ballkanit Shirley Cloyes thotë se në Kosovë nuk ka një forcë të vetme vendimmarrëse ndërkohë që ekzistojnë pesë struktura që konkurrojnë për pushtet.Kombet e Bashkuara duhet t’ja kalonin mandatin misionit të Bashkimit Evropian por Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së nën trysninë e Rusisë dhe të Kinës vendosi të rikonfigurojë praninë e OKB-së.

Nga ana tjetër, është EULEXi që merret me drejtësinë dhe policinë. Mandati i tyre kryesor është dislokimi në veri dhe kjo nuk ka ndodhur ende. Pastaj është krahu administrativ i BE-së dhe secili përfaqësues i përgjigjet jo vetëm autoritetit qëndror në BE por secilit nga vendet e tyre. KFOR-i dhe Natoja janë gjithashtu aty. Serbët e Kosovës po manipulohen tragjikisht nga Beogradi. Pastaj është vetë Parlamenti i Kosovës dhe qeveria që fatkeqësisht në një masë të madhe i nënshtrohen komunitetit ndërkombëtar.

“Pra nuk ka një forcë të vetme vendim-marrëse. Kosova po ecën pa një drejtim. E ardhmja nuk është e qartë dhe çfarëdo të ndodhë, secili prej faktorëve ndërkombëtarë u përgjigjet kanaleve të ndryshme. Kjo situatë nuk premton përparim për Kosovën. Dhe ky është një nga shqetësimet kryesore që po u paraqesim anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit”.

Joseph Dioguardi thotë se nuk ka një strategjikonkrete për situatën në veri të vendit dhe se ky do të jetë një problem i vështirë për tu zgjidhur.

Qeveria nuk ka qënë agresive sa duhet për të zgjidhur problemin. Nga ana tjetër duhet të bindim Shtetet e Bashkuara për të konfrontuar në mënyrë më agresive Rusinë dhe për t’i treguar asaj se kjo është një çështje evropiane. Kemi të bëjmë me një shtet të ri dhe kufijtë e tij duhet të mbeten të pandryshuar. Serbët e Kosovës kanë të drejta më të mira se sa çdo pakicë në Evropë. Pakicat shqiptare janë ato me të drejta më të pakta dhe këtu mund të përmend Preshevën. Në se Serbia kërkon të hyjë në Bashkimin Evropian, ata duhet t’i trajtojnë pakicat sipas standarteve evropiane dhe këtë model duhet të shohim në të gjitha trojet shqiptare”.

Mungesa e investimeve të huaja ka patur ndikim në sovranitetin ekonomik të Kosovës. Konferenca e donatorëve duket se ishte zhvillimi më shpresëdhënës pas shpalljes së pavarësisë. Por zonja Cloyes thotë se një pjesë e mirë e ndihmës do të shkojë për të mbuluar borxhin e trashëguar nga Serbia pas shpalljes së pavarësisë.

“Është për të ardhur keq që kjo çështje nuk u zgjidh më parë nga komuniteti ndërkombëtar. Nga ana tjetër kemi parë se në konferenca donatorësh premtohet shumë. Por a do të merren këto para në një kohë që ka një krizë të përgjithshme ekonomike? Një pyetje tjetërështë si do të shpenzohen këto ndihma. Është shumë e rëndësishme të vendosen mekanizma përgjegjësie dhe transparencë për të parë se ku do të shkojnë këto para”.

Ekspertja thotë se qeveria e Kosovës po i nënshtrohet komunitetit ndërkombëtar në një kohë që duhet të gjejë vetë zgjidhje për problemet e saj. Ajo përshëndet rolin e opozitës e cila ka arritur të kuptojë se kjo duhet të ndryshojë.

“Është shumë e rëndësishme që kosovarët të mos mendojnë se janë të pavarur, dhe se çdo gjë do të zgjidhet nga Shtetet e Bashkuara. Nuk është kështu. Duhet që opozita t’i shtrojë çështje të tilla. Por a po dëgjon qeveria? A është ajo e gatshme të marrë parasysh të gjitha mendimet e drejta? Ka shumë njerëz profesionistë të shoqërisë civile që nuk po dëgjohen si duhet”.

Të dy aktivistët e njohur të lobit shqiptar kanë përgatitur një raport pas vizitës së tyre të fundit në Kosovë dhe janë këtë javë në Uashington për tu takuar dhe për t’ua parashtruar shqetësimet e tyre personaliteteve të njohura në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senatin amerikan. (ze)

XS
SM
MD
LG