Lidhje

Xanier: UNMIK-u duhet rikonfiguruar; Reagime të forta nga Serbia dhe Rusia


I dërguari i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Lamberto Xanier, tha se pozita e tij gjatë muajve të fundit ka ndryshuar ndjeshëm. Zoti Xanier tha sot në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se si qeveria e Kosovës edhe serbët në atë vend i kanë bërë sfidë aftësisë së administratës së tij për të kryer funksionet e saj. Ai tha se qeveria e Kosovës, pasi shpalli pavarësinë më 17 shkurt, kërkon të marrë përsipër të gjitha funksionet qeverisëse, por ai theksoi se pakica serbe këmbëngul të ketë marrëdhënie vetëm me zyrtarët e OKB-së.

Zoti Xanier, theksoi sot para Këshillit të Sigurimit se realiteti i ri në terren, që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës e ka vështirësuar përmbushjen e misionit të UNMIK-ut.

Mundësia e UNMIK-ut për të kryer pjesën më të madhe të funksioneve të tij administrative ka ndeshur vështirësi të shumta, si rezultat i veprimeve të qeverisë së Prishtinës.

Zoti Xanier veçoi si një tjetër sfidë ndaj autoritetetit të UNMIK-ut, strukturat paralele të komunitetit serb. Si rezultat i kësaj situate, UNMIK-u po përgatitet për të ri-konfiguruar misionin e tij. Kapaciteti i UNMIK-ut do të pakësohet në fusha ku praktikisht nuk funksionon, ndërsa do të vazhdojë punën në drejtim të mbarëvajtjes së pakicave.

Në fjalën e tij para Këshillit të Sigurimit, Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç theksoi përsëri kundërshtimin e Beogradit ndaj pavarësisë së Kosovës dhe nevojën që të vazhdojë respektimi i rezolutës 1244.

Ministri i Jashtëm serb shprehu zhgënjimin e Beogradit, ndaj asaj që e cilësoi si qëndrim pasiv i Kombeve të Bashkuara për të mbrojtur autoritetin e tij ekzekutiv, që e merr mandatin nga Këshilli i Sigurimit. Duke folur për ri-konfigurimin, zoti Jeremiç, tha se ri-konfigurimi duhet të realizohet në bashkëpunim të plotë me Serbinë dhe në përputhje me rezolutën e Këshillit të Sigurimit, si e vetmja mënyrë për një zgjidhje që gëzon legjitimitet:

Zëri i Serbisë në ri-konfigurim dhe zhvillime të mëpasshme, nuk duhet të lihet jashtë apo të injorohet. Ky ri-konfigurim, tha zoti Jeremiç, duhet të mos cënojë autoritetin e OKB-së, nuk duhet të kapërcejë kufijtë e rezolutës 1244 dhe nuk duhet të cënojë integritetin territorial të Serbisë, tha ministri serb.

Në komentet për shtyp, pas seancës në Këshillin e Sigurimit, zoti Jeremiç tha se çështja e rikonfigurimit nuk do të shoqërohet me dialog Prishtinë-Beograd.

"Ne nuk do të angazhohemi në dialog me Prishtinën lidhur me çështjen e rikonfigurimit të UNMIK-ut. Kjo çështje do të diskutohet vetëm me Kombet e Bashkuara, jo me autoritetet separatiste. Ne duam të angazhohemi në dialog me autoritetet e Prishtinës lidhur me çështjen e statusit të Kosovës, në mënyrë që statusi të jetë i qëndrueshëm, dhe i respektueshëm nga të gjitha palët."

Nga ana e tij, ministri i jashtëm i Kosovës Skënder Hyseni përmendi fillimisht masat që qeveria e Kosovës ka marrë për mbrojtjen e pakicave në Kosovë. Ai shprehu gjithashtu gatishmërinë e Prishtinës për të hyrë në bisedime me Beogradin si dy shtete të pavarur.

Zoti Hyseni premtoi se qeveria e Kosovës do të vazhdojë të reagojë me moderim dhe të vazhdojë të punojë nga afër me autoritetet e Kombeve të Bashkuara ndërkohë që realizohet rikonfigurimi i pranisë së tyre në Kosovë. Ministri shprehu bindjen se vendosja e Eulex-it në gjithë territorin e Kosovës do të ndihmojë në forcimin e sigurisë në vend.

Në përfundim të raportit të zotit Xanier, dhe pas komenteve të Ministrave të Jashtëm të Serbisë dhe Kosovës, ambasadori i Shteteve të Bashkuara pranë OKB-së, Zalmai Kalilzad i bëri thirrje Serbisë të ndalë bojkotin e saj ndaj Kosovës së pavarur:

"I bëjmë thirrje Serbisë të mbështesë të gjitha autoritetet në përpjekjet e tyre për të rivendosur marrëdhënie legjitime doganore dhe funksione normale kufitare. Kërcënimi për dhunë ndaj atyre që mund të përpiqen për vendosjen e rregullit, duhet të ndalet. Kritikojmë përpjekjet e pasuesve të vijës së ashpër në Serbi, të cilët mundohen përmes mjeteve financiare dhe kërcënimit për dhunë fizike, për të mos lejuar pakicat serbe në Kosovë që të angazhohen në institucionet e Kosovës. Shpresojmë që qeveria e re në Beograd do të ndalë politikat destabilizuese dhe do të punojë për nxitjen e ripajtimit."

Ndërkaq, ambasadori rus pranë OKB-së, Vitaly Churkin, theksoi përsëri kundërshtimin e Rusisë ndaj pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se veprimet e autoriteteve në Prishtinë shkelin legjitimitetin e Këshillit të Sigurimit:

"I përmbahemi qëndrimit se Rezoluta 1244 duhet të respektohet në mënyrë besnike. Po ashtu edhe duhet të respektohet mandati i Misionit të OKB-së në Kosovë, e miratuar nga Këshilli i Sigurimit. Pengesat ndaj punës së këtij misioni nga autoritetet shqiptare të Kosovës janë një dhunim i hapur nga ana e Prishtinës ndaj detyrimeve të tyre në bazë të kësaj rezolute."

Rikonfigurimi i UNMIK-ut, tha zoti Churkin, është i papranueshëm pa autorizimin paraprak të Këshillit të Sigurimit. Në këto rrethana, Sekretari i Përgjithshëm ka kapërcyer autoritetin e tij duke ndërhyrë në kompetencat e Këshillit të Sigurimit. //ad//

XS
SM
MD
LG