Lidhje

FMN-ja vlerëson përparimin e Shqipërisë, parashikon sfida


Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson përparimin e bërë në ekonominë shqiptare ndërsa parashikon sfida në të ardhmen. Në raportin e publikuar pas rishikimit të pestë të marrëveshjes tre-vjeçare me Shqipërinë thuhet se sektori i energjisë dhe përmirësimi i klimës së biznesit janë dy probleme që vazhdojnë të mbeten pa zgjidhje.

Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se Shqipëria ka bërë përparim të kënaqshëm në periudhën e tranzicionit ekonomik. Zhvillimet në ekonominë shqiptare, thuhet në raportin e publikuar pas rishikimit të pestë të marrëveshjes tre-vjeçare të FMN-së me Shqipërinë, tregojnë se vendi po përparon brenda objektivave të përcaktuara dhe në përgjithësi, ka patur përparim të kënaqshëm përsa i përket arritjes së ritmeve të rritjes, konsolidimit të qendrueshmërisë makroekonomike dhe reformave strukturore.

Por megjithë përparimin e bërë vitet e fundit Shqipëria përballet me sfida ekonomike të mëdha. Sipas raportit, disa probleme të vjetra vazhdojnë të mbeten, sidomos në sektorin e energjisë elektrike dhe të klimës së biznesit, dy fusha këto ku reformat janë vonuar.

Nga ana tjetër prirjet negative të inflacionit global pritet të kenë ndikim në një të ardhme të afërt, duke e bërë të vështirë mbajtjen e tij në nivelin e kërkuar. Një sfidë tjetër vjen nga niveli i lartë i lëvizjes së krahut të punës në vendet evropiane që e vështirëson rritjen dhe produktivitetin ekonomik.

Klima e dobët e biznesit për shkak të korrupsionit, drejtësisë dhe pronësia e tokës vazhdojnë të përbëjnë pengesa.

Fondi shtron nevojën përmbylljes së reformës në sektorin e energjisë ku problem vazhdon të mbetet mos pagimi i energjisë së shpenzuar.

FMN-ja sugjeron përgatitjen e një kornize pune pas përfundimit të programit tre-vjeçar në janar të vitit të ardhshëm për të vazhduar qëndrueshmërinë fiskale. //kk//

XS
SM
MD
LG