Lidhje

Moska, Tbilisi fajësojnë njëri tjetrin për luftimet  në Osetinë Jugore


Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin, e sulmoi ashpër dje Gjeorgjinë, duke thënë se ky vend ka humbur efektivisht të drejtën për të sunduar rajonin seperatist të Osetisë Jugore. Presidenti gjeorgjian, ndërkohë, i quajti veprimet e Rusisë “çmenduri” dhe bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të luftimeve. Një mision i përbashkët evropiano-amerikan në Gjerogji synon ndërmjetësimin e konfliktit.

Kryeministri rus Putin shkoi në qytetin rus të Vladikavkazit, pranë Osetisë Jugore, ndërsa konflikti nuk tregoi asnjë shenjë zbutjeje. Zoti Putin tha se sulmi i Gjeorgjisë të premten ndaj Osetisë Jugore ishte një goditje vdekjeprurëse ndaj sovranitetit të këtij vendi.

Zoti Putin tha se situata ishte katastrofike, duke cituar viktimat dhe bombardimet, për të cilat ai tha se ishin objektiva civilë. Ai tha, se që nga 2 gushti, 34 mijë refugjatë kanë kapërcyer kufirin për në Rusi.

Presidenti rus Dmitri Medvedev tha se ai shpresonte që Shtetet e Bashkuara do të ndihmonin për ta bindur Gjeorgjinë të nënshkruante një marrëveshje ligjore detyruese për mospërdorimin e forcës, ndërsa ambasadori i Rusisë në NATO, Dmitri Rogozin, tha se, deri sa trupat gjeorgjiane të tërhiqen për në pozicionet që kishin para ofensivës, ndalimi i luftimeve nuk do të mund të ndodhte.

Udhëheqësit nga e gjithë bota u kanë bërë thirrje të dyja palëve të përmbahen, duke bërë deklarata, përmes të cilave i kanë dënuar luftimet dhe duke dërguar një delegacion me diplomatë të nivelit të lartë, të cilët shpresojnë të shërbejnë si katalizator për ndalimin e luftimeve.

Gjeorgjia filloi të premten në ofensivë për rimarrjen e kontrollit të Osetisë Jugore nga separatistët. Rusia, e cila u ka dhënë pashaporta shumë prej banorëve të provincës, u kundërpërgjigj, duke dërguar trupa dhe tanke.

Kryeqyteti i Osetisë Jugore, Tskinvali, është shkatërruar, ndërsa rajoni hyn sot në ditën e tretë të luftimeve mes separatistëve dhe forcave gjeorgjiane. Luftimet po ashtu u përhapën edhe në Abkazi, një tjetër rajon separatist i Gjeorgjisë. Zyrtarët gjeorgjianë, po ashtu, thonë se Rusia kreu sulme ajrore ndaj bazave ushtarake në Gjeorgji dhe bombardoi qytetin port të Potit në Detin e Zi, ku ndodhen objekte të rëndësishme të transportimit të naftës, si dhe në qytetin gjeorgjian Gori, pranë Osetisë Jugore.

Presidenti gjeorgjian Mihail Sakashvili bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të luftimeve



dje, duke thënë se dhuna e tanishme nuk është në interes të Rusisë dhe të Gjeorgjisë.

Presidenti gjeorgjian Mihail Sakashvili i kërkoi Presidentit Medvedev t’i japë fund, asaj që ai e cilësoi “çmenduri” dhe e akuzoi Rusinë se po përpiqet të shkatërrojë lirinë e Gjeorgjisë. Ai tha se ndërsa vendi i tij nuk duhet të tregojë se frikësohet, për Gjeorgjinë, “E gjithë kjo është tepër e vështirë”.

Dhuna e ditëve të fundit në Gjergji është më e rënda në këtë rajon, që kur fitoi “de facto”, pavarësinë në vitin 1992. Banorët e Osetisë Jugore kërkojnë t’u bashkohen atyre të Osetisë Veriore, që u përfshi brenda Rusisë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.//lk


XS
SM
MD
LG