Lidhje

Majkëll Felps fiton medaljen e tij të tetë të artë


Majkëll Felps fitoi medaljen e tij të tetë të dielën në Lojërat e Pekinit duke thyer kështu rekordin e mëparshëm dhe duke u bërë kampioni më i suskesshëm në historinë olimpike. Xhejson Lizak arriti ta ruante epërsinë që Felps i dha atij duke i nxjerrë Shtetet e Bashkuara fituese dhe me një rekord të ri në 400 metërshin stafetë, stil i përzier kundrejt ekipit australian. Megjithatë, Felps nuk do të mund t'ia kishte dalë pa ndihmën e madhe të pjesëtarëve të ekipit të tij.

Majkëll Felps, 23-vjeçari nga qyteti i Baltimorës, theu shtatë rekorde botërore dhe një rekord olimpik, duke u bërë kështu kampioni më i suksesshëm në historinë e Lojërave Olimpike. Felps arriti të eklipsonte Mark Spicin i cili fitoi shtatë medalje të arta në Lojërat e Mynihut në vitin 1972. Një mori fotoreporterësh ishin mbledhur për t'i bërë fotografi kampionit olimpik, kur po dilte nga qendra e quajtur Kubi i Ujit pasi fitoi medaljen e tij të tetë.

"Ndoshta teta është numri i fatit edhe për mua," tha Felps duke iu referuar besimit kinez se ky numër sjell fat.

Felps fitoi disa gara me diferencë të madhe, ndërsa disa të tjera me diferencë fare të vogël, siç ishte gara e medaljes së shtatë të artë ku fitoi me një të qindtën e sekondës kundrejt serbit Milorad Çaviç.

"E vetmja gjë që do të doja të ndryshoja është 200 metërshi në stil flutur. Përveç asaj mendoj se java ishte perfekte."

Tifozët e Felpsit ishin mbledhur në Baltimorë për të parë idhullin e tyre të fitonte medaljen e tetë të artë në Lojërat e Pekinit. Një nga tifozët, Aron Forxhi, i cili është edhe vetë notar thotë se kjo është ngjarje e veçantë për qytetin.

"Të shohësh dikë që bën diçka kaq të jashëzakonshme është fantastike, veçanërisht për vendin tonë, sepse na bashkon të gjithëve."

Majkëll Felps është tani kampioni më i suksesshëm olimpik, i cili largohet nga Kina me 14 medalje të arta gjithsej nga karriera e tij, pesë më shumë se çdokush tjetër dhe me mundësinë e pjesëmarrjes në të paktën edhe Lojërat e ardhshme Olimpike. //bsa//

XS
SM
MD
LG