Lidhje

NATO tha se po shqyrton me seriozitet ndikimin e ndërhyrjes së Rusisë në Gjeorgji


Ministrat e Jashtëm të Natos thanë se po shqyrtojnë me seriozitet ndikimin e ndërhyrjes së Rusisë në Gjeorgji dhe ranë dakort se kontaktet e rregullta janë të pamundura deri sa trupat ruse të tërhiqen.

Sekretari i Përgjithshëm i Natos Jap dë Hop Skiefer tha se ministrat ranë dakort se aleanca nuk mund të vazhdojë bashkëpunimin normal me Rusinë derisa të largohen trupat. Sekretari i Përgjithshëm shtoi se ministrat ranë dakort për të ngritur një forum të ri, komisionin Nato-Gjeorgji për të shtuar lidhjet me vendin e Kaukazit. Ai tha se ministrat riafirmuan gjithashtu mbështetjen e tyre për integritetin territorial dhe sovranitetin e Gjeorgjisë dhe ranë dakort të dërgojnë ekipe ndihmash në atë vend.

Sekretarja e shtetit Kondolisa Rajs, e cila mori pjesë në takim tha se aty u demonstrua mbështetja për demokracinë gjeorgjisë. Ajo theksoi se nuk do të ketë vija të reja ndarëse në Evropë dhe se si Gjeorgjia dhe Ukraina vazhdojnë të jenë kandidate të mundshme për anëtarësim në Nato.

Aleanca e Natos dërgoi sot një sinjal të fuqishëm në mbështetje të Gjeorgjisë, dhe Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje aleatëve të forcojnë lidhjet ushtarake me ish republikat sovjetike në kufi me Rusinë.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondolisa Rajs, mbështeti formimin e një komisioni të përhershëm Nato-Gjeorgji për të forcuar lidhjet mes aleancës perendimore dhe Gjeorgjisë.

Diplomatët thanë se Uashingtoni mbështet gjithashtu shtimin e stërvitjes ushtarake për trupat gjeorgjiane.

Zonja Rice u takua me ministrin e jashtëm finlandez Aleksander Stub, aktualisht kryetari i radhës së OSBE-së.

OSBE-ja tha se Rusia ka rënë dakort të lejojë edhe 20 monitorues të tjerë ushtarakë ndërkombëtarë si brenda edhe rreth rajonit të Osetisë Jugore.

Ky plan parashikon që monitoruesit të dërgohen menjëherë në kryeqytetin gjeogjian Tbilisi. Plani pret miratimin e palës gjeorgjiane.

OSBE momentalisht ka nëntë monitorues të vendosur në Osetinë Jugore si pjesë e misionit të saj prej 200 vetësh në Gjeorgji.

Duke folur pas takimit, sekretari i jashtëm britanik David Miliband tha se kishte një mirëkuptim në takimin e sotëm të Natos se Rusia ka dështuar të plotësojë angazhimet e saj dhe se kjo do të ketë pasoja serioze për besimin që i është dhënë Rusisë si partnere ndërkombëtare.

“Rusia kërkon të respektohet si partnere ndërkombëtare dhe këtë mund ta arrijë vetëm duke marrë përgjegjësitë. Ky do të jetë motori politik që do të sigurojë që Rusia të përbushë detyrimet e saj për të tërhequr trupat dhe të mos bëjë kërcënime të mëtejshme ndaj vendeve të tjera fqinje”.

Sekretari i jashtëm britanik theksoi megjithatë se izolimi i Rusisë nuk është rruga e duhur duke rekomanduar nevojën e një angazhimi më të fuqishëm. (ze)

XS
SM
MD
LG