Lidhje

Ide të ndryshme nëse Kina do të ndryshojë mbas Lojrave Olimpike


Lojrat Olimpike po mbërrijnë në mbylljen e tyre në Pekin, me qindra medalje të fituara dhe dhjetra rekorde të reja botërore. Ndërsa specialistët e sportit po grumbullojnë statistikat, analistët poitikë po diskutojnë trashëgiminë e këtyre Lojrave për Kinën dhe popullin e saj.


Ceremonitë e hapjes ishin vezulluese. Stadiumet e reja ishin të mrekullueshme. Dhe metroja, është gjithmonë në orar.

Çmimi ishte tepër i lartë për qeverinë kineze e cila investoi miliona dollarë për përgatitjen e Lojrave olimpike të këtij viti.

Por specialistët kinezë kanë tjetër mendim kur ngrihet pyetja nëse Lojrat olimpike e kanë ndryshuar këtë vend të lashtë.

Kreu i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kinë, Khalid Malik, thotë se organizimi i lojrave ishte një arritje për udhëheqësit e një vendi të zhvilluar si Kina.

"Ata e përqendruan vëmendjen e tyre tek gjithë kjo ngjarje në përgjithësi. E gjithë infrastruktura e Pekinit u përmirësua nga këto linja autobusësh, deri tek linjat e metrosë. Mendoj se gjithë këto ndryshime do të jenë një trashëgimi e qëndrueshme për të ardhmen" - tha ai

Olimpiket e kanë ndryshuar Kinën në disa drejtime. Mbas një muaji me masa kundër ndotjes, qiejt u pastruan dhe cilësia e ajrit në Pekin arriti nivelin më të lartë në 10 vjet.

Shi Yin Hong , Drejtor i Studimeve Amerikane në Universitetin Popullor të Pekinit, thotë se kjo është trashëgimia më e madhe që lanë Lojrat e Pekinit. Ai thotë se:

"Trashëgimia më e madhe e Olimpikeve nuk do të jetë përmirësimi i të drejtave të njeriut, por kryesisht ato theksuan ndërgjegjësimin e publikut mbi pastërtinë e mjedisit dhe mundësuan transport më të mirë për popullatën".

Për të tjerët shpresa se Lojrat mund të ndihmonin zbutjen e kontrollit të qeverisë ndaj shoqërisë, nuk arriti të përmbushet. Gazetarët e huaj u lejuan që të raportonin më lirshëm, por ata u përballën dhe me kufizime në disa tema të caktuara.

Qeveria projektoi zona të veçanta për protestat gjatë Lojrave, por nuk u dhanë leje për demonstrime: dhe ata që aplikuan për leje, sipas njoftimeve, nuk u lejuan. Qeveria vazhdoi që të bllokonte faqet e internetit që kishin të bënin me të drejtat e njeriut dhe pavarësinë e Tibetit.

Përgatitjet gjithashtu sollën shkatërrimin e shtëpive të disa banorëve dhe dëbimin e punëtorëve të ardhur nga pjesë të tjera të vendit dhe lypsave nga Pekini.

David Wallechnesky, autori i një libri për Olimpiket, thotë se ai nuk pret kurrë që Lojrat do të ndryshojnë Kinën.

"Është një diktaturë një-partiake. Ekonomia e tyre, nuk ka nevojë për ndihmë. Ata nuk kanë nevojë që të hapen ndaj botës për arsye ekonomike. Ata janë tashmë në tregun botëror. Kështu që idenë që Olimpiket do të sillnin ndonjë ndryshim në politikën kineze, thjesht nuk e marr të mirqenë". - thotë Wallechnesky

Organizimi i Lojrave Olimpike i dha mundësinë qeverisë kineze që të tregonte forcë, të rriste prestigjin dhe të afirmnte legjitimitetin e saj, sipas Jaime Metzl nën president i qendrës Shoqëria Aziatike

" Legjitimiteti i qeverisë vjen nga fakti që ajo ishte e aftë që të shfaqte disa aspekte, si rritjen ekonomike, apo simbolin e këtyre Olimpike, - të cilat treguan se Kina mund të bëjë dicka jo vetëm në nivelin botëror, por duke e tejkaluar këtë nivel". - thotë Metzl

Të tjerë thonë se udhëheqja kineze nuk ka interesa afatgjata në lejimin e një liberalizimi të shpejtë dhe të plotë.

Viktor Cha Profesor i Srudimeve aziatike në Universitetin George Washington thotë se Lojrat do të kenë një ndikim.

"Olimpiket arritën të detyrojnë udhëheqjen që të bëjë hapa të vegjël që nuk janë karakteristike për këtë udhëheqje. Dhe këto hapa do të kenë një ndikim". - tha ai

Shumica pohojnë që Kina mbas Olimpikeve do të tregojë më shumë vetësiguri në skenën botërore, pavarësisht se ku; në sport, biznes apo politikën ndërkombëtare. //mm//

XS
SM
MD
LG