Lidhje

SHBA: Sa do të jenë të aftë republikanët të tërheqin votat e pakicave


Delegatët e partisë republikane në kuvendin e saj të shtatorit u përshkruan nga disa analistë "si një det fytyrash të bardha". Numri i afrikano-amerikanëve të pranishëm ishte shumë më i vogël në krahasim me kuvendin e katër viteve më parë të partisë republikane. Dhe shumica e tyre sivjet mbështesin kandidatin demokrat për president Barak Obama, i cili ka babanë afrikano-amerikan dhe nënën të bardhë.

Rreth 25% e delegatëve në Kuvendin Demokrat në Denver muajin e kaluar ishin afrikano-amerikanë dhe kandidati Obama gëzon mbështetje të madhe nga ata në të gjithë vendin.

Ndryshe nga demokratët, pjesëmarrja e afrikano-amerikanëve në kuvendin republikan ishte minimale. Vetëm 36 nga 2380 delegatët e pranishëm ishin afrikano-amerikanë, një numër më i vogël në krahasim me 100 delegatët me ngjyrë që kishin ardhur në kuvendin e kaluar.

Edhe pse jo afrikano-amerikan, një prej yjeve që po kapin shpejt majat në partinë republikane është edhe guvernatori i Luizianës Bobi Xhindall, prindërit e të cilit vijnë nga India. Ngjyra e tij dhe aftësia e tij për të bërë për vete votuesit e ka vënë atë në ballë të përpjekjeve republikane për të tërhequr më shumë pakicat.

Ai mendohej të mbante një fjalim me rëndësi gjatë kuvendit por iu desh ta anulonte atë për shkak se uragani Gustav goditi shtetin e tij javën e kaluar.

Afrikano-amerikanët dhe pakicat e tjera që morën pjesë në kuvendin e republikanëve e quajnë veten mbështetës të flaktë republikanë që nuk i ndryshojnë idealet e tyre megjithë kritikat nga anëtarët e bashkësive të tyre që e shohin kandidaturën e zotit Obama si një shans historik.

Shumë republikanë me ngjyrë përmendin besimet morale si një nga arsyet përse ata nuk e mbështesin kandidaturën e zotit Obama.

Gejl Sajërs, një republikane afrikano-amerikane nga San Antonio e Teksasit ka ide të qarta mbi këtë kandidaturë.

"Ka shumë arsye dhe një nga ato është qëndrimi mbi abortin. Zoti Obama thotë se nuk i takon atij të thotë se kur një fëmijë gëzon të drejta të plota njerëzore. Kjo është e çuditshme,” - thotë ajo.

Xhon Kollën nga shteti i Floridës është udhëheqësi i Shoqatës Kombëtare Afrikano-Amnerikane Republikane. Ai thotë se ka shumë pak të përbashkëta me zotin Obama përveç ngjyrës së lëkurës.

"Nëse zoti Barak Obama do të kishte pasur rezultate dhe do të besonte në të njëjtat vlera si unë, atëhere edhe unë do të votoja për të. Por ai nuk beson në to. Kjo është gjëja më e rëndësishme."

Zoti Kollën thotë se besimet e tij fetare bëjnë që ai të kundërshtojë abortin dhe të favorizojë politikat që promovojnë moralin dhe përforcojnë vlerat familjare. Ai po kështu bie ndesh me qëndrimet e partisë demokratike në çështje si arsimimi dhe mbrojtja kombëtare.

Një republikan tjetër me zë afrikano-amerikan në kuvend ishte edhe Zëvëndësguvernatori Majkëll Still i cili është bërë i njohur në programet radifonike dhe televizive. Zoti Sill pranon që demokratët kanë avantazh sivjet me afrikano-amerikanët për arsye të zotit Obama, por ai thotë se partia e tij mund të garojë për këtë grup votash në vitet e ardhshme.

"Ne duhet të mobilizohemi në mënyrë që në të ardhmen të konkurojmë me demokratët për këto vota dhe të angazhojmë në mënyrë funksionale votuesit afrikano-amerikanë, hispanikë, të bardhët, pra çdo votues në Amerikë me mesazhin e vlerave--një mesazh që i jep forcë njerëzve dhe pëlqehet nga të gjitha bashkësitë.”

Se sa sukses do të kenë republikanët për të tërhequr votuesit me ngjyrë dhe pakicat e tjera do të varet edhe nga ecuria e zgjedhjeve të nëntorit. Disa konservatorë afrikano-amerikanë e kanë bërë publike mbështetjen e tyre për zotin Obama dhe, siç thonë analistët, do të jetë e vështirë të ndryshosh atë që po shihet nga shumë njerëz të të gjitha racave si një shans për të shëruar plagët e vjetra racore dhe për të bashkuar vendin.

Udhëheqësit republikanë thonë se ata mbeten të vendosur për të tërhequr më shumë pakica në radhët e tyre. Por shumë prej tyre pranojë se ky mund të mos jetë viti i duhur për ta bërë këtë.//lk

XS
SM
MD
LG