Lidhje

Acarohen marrëdhëniet Ukrainë-Rusi, shkak mbështetja e Kievit për Gjeorgjinë


Keqësimi i marrëdhënieve midis Ukrahinës dhe Rusisë u shpejtua pas përkrahjes nga Kievi për Gjeorgjinë gjatë konfliktit të muajit të kaluar në Osetinë Jugore. Keqësimi i lidhjeve përkon me skadimin vitin e ardhshëm të Traktatit dypalësh të Miqësisë dhe Bashkëpunimiu, të cilin të dyja palët e ratifikuan në prill të vitit 1999. Marrëveshja strategjike 10 vjeçare do të zgjatet automatikisht, vetëm në qoftë se Ukrahina dhe Rusia shpallin qëllimet e tyre për të mos e bërë një gjë të tillë brenda 6 muajsh përpara skadimit. Afati i fundit për këtë është 1 tetori. Ndërkohë që vëzhguesit thonë se mendohet që ky traktat do të rinovohet, ai po shikohet nga politikanë, ekspertë dhe zyrtarë ushtarakë nga të dyja palët. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Peter Fedynsky njofton nga Moska.

Traktati i Miqësisë gjatë muajve të fundit është vënë në provë kur Moska protestoi kundër përçapjeve të Ukrahinës për në NATO dhe Kievi akuzoi Rusinë se kërkonte destabilizimin e Krimesë, duke lëshuar pasaporta ruse për qytetarët ukrainas në gadishullin e Detit të Zi.

Duke folur në një konferencë ekspertësh në Moskë, ish-komandanti i Flotës ruse në Detine Zi, Admirali Igor Kasatanov, vuri në dukje se Traktati i Miqësisë garanton moscënimin e kufijve të Ukrainës. Zoti Kasatonov shtoi se Ukraina është një partner i pazëvendësueshëm dhe i nevojshëm, që ndodhet në një pikë strategjike për interesat ekonomike të Rusisë. Për këtë arësye, thotë ai, Rusia duhet të luftojë për Ukrainën.

Admirali Kasatonov thotë se Rusisë i duhet të luftojë në terma specifikë dhe konkretë, së pari duke përdorur të gjitha institucionet ruse për të zgjidhur çdo problem të nevojshëm në Ukrahinë. Rusia, thotë ai, duhet të mbajë një pozicion të palëkundur dhe të mos bëjë lëshimin më të vogël kur flitet për interesat e saj.

Admirali Kasatonov thotë se vazhdimi i pranisë së flotës ruse në Sevastopulos të Detit të Zi varet nga Traktati i Miqësisë, të cilin e ai rekomandon që të rinovohet.

Shumë pjesëmarrës në konferencë shprehën shqetësime se gjuha ukrainase dalëngadalë është duke zëvendësuar atë ruse, megjithëse moderatori Konstandin Zatulin kohët e fundit tha se përdorimi i rusishtes në Ukrainë është në rritje dhe për një kohë të gjatë nuk kërcënohet.

Prifti orthodoks rus, Georgi Riabik ritheksoi mendimet se Ukraina është duke nxitur përdorimin e gjuhës së saj, kulturën dhe historinë në kurriz të Rusisë. Ndëkohë që dënon politikanët ukrainas për ndërhyrje në problemet e kishës, ai i bëri thirrje shtetit rus të ndihmojë në zhvillimin e asaj, që ai e quajti, një qytetërim të vetëm orthodoks në Rusi, Ukrainë dhe në vende të tjera. Konstandin Zatulin, anëtar i Parlametit të Rusisë, e kundërshton këtë propozim, si një shkelje të ndarjes së kishës nga shteti. Pavarësisht nga dëshira për lidhje të vazhdueshme fetare, Georgi Ribak tha se mbarëvajtja e Rusisë moderne varet nga lidhjet e saj me Rusinë, një shtet që ka ekzistuar 1000 vjet më parë dhe sunduesit e të cilit në Kiev themeluan shumë qytete ruse.

Prifti thotë se interesat që rusët kanë në Ukrainë dhe Bjellorusi nuk kanë të bëjnë me rinovimin e ndonjë interesi perandorak, ose dëshire për të shmangur humbjen e territoreve të shumta, që kanë bujqësi të zhvilluar, pika strategjike, vlera gjeopolitike dhe ekonomike. Arsyeja e vërtetë, thotë ai, është nevoja për të mbrojtur civilizimin e përbashkët të Ukrainës dhe Rusisë, në mënyrë që vetëdija kombëtare e rusëve të mund të vazhdojë të shkojë në një drejtim të shëndetshëm.

Anëtari i Parlamentit të Ukrainës, Dmitro Tabaçnik, vuri në dukje sondazhet me publikun, të cilat tregojnë se ukrainasit ishin pesimistë ndaj veprimeve ruse gjatë konfliktit të muajit të fundit me Gjeorgjinë.

Tabaçnik thotë se vëzhgimet tregojnë se 1 në çdo 4 qytetarë në Kiev kishin një opinion më të keq për Rusinë pas konfliktit me Gjeorgjinë dhe vetëm një-e-dhjeta kishte mendim më të mirë. Parlamentari ukrainas shton se dështimi për zgjatjen e Traktatit të Miqësisë do të nënvleftësojë pozicionin e intelektualëve dhe politikanëve ukrainas të cilët, rreth problemit NATO, favorizojnë qëndrimin neutral.

Ministria e Jashtme e Rusisë, kohët e fundit lëshoi një deklaratë ku thuhej se dëshira e Ukrainës për të përshpejtuar hyrjen në NATO është në kundërshtim me natyrën e Traktatit dypalësh të Miqësisë dhe interesave ruse. Në përgjigjen e Ministrisë së Jashtme të Ukrainës thuhej se Moska do të ndihmonte për marrëdhëniet pozitive dypalëshe, në qoftë se ajo e kupton se vendimi i Ukrainës për të kërkuar anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO është i pakthyeshëm. //iç//

XS
SM
MD
LG