Lidhje

Fushata presidenciale dhe humori


Kandidatët për president në Shtetet e Bashkuara Xhon Mekein dhe Barak Obama, u shkëputën të enjten për disa orë nga fushata, për të marrë pjesë në një darkë bamirësie në Nju Jork. Kandidati republikan dhe ai demokrat bënë shaka për njëri-tjetrin dhe vetveten, para një audience ku merrnin pjesë shumë nga figurat kryesore politike të vendit.

Senatorët Mekein dhe Obama ishin në të njejtën skenë së bashku për të dytën natë radhazi, një natë pas debatit të tyre të tretë dhe të fundit elektoral që zhvilluan të mërkurën. Por tek darka e mbrëmshme, që është një traditë politike në Nju Jork, kandidatët ishin në garë për të treguar se kush do të bënte shakatë më me humor.

“Dhe tani një njoftim i rëndësishëm. Gjërat po rrokullisen me shpejtësi në fushatën time dhe është e vërtetë që sot në mëngjes kam shkarkuar të gjithë ekipin e këshilltarëve të mi kryesorë. Vendin e tyre do ta zërë vetëm një person: Xho hidrauliku”.

Xho Hidrauliku është një biznesmen nga Ohajo që e sfidoi Obamën në një nga takimet e tij të fushatës, emri i të cilit u përmend shpesh nga kandidatët Mekein dhe Obama në debatin e tyre këtë javë.

Nga ana e tij, senatori Obama deklaroi se kandidati i tij për nënpresident, Senatori Xho Bajden tani preferon ta thërrasin thjesht Xho Senatori.

Darka e përvitshme bëhet për nder të një demokrati, Al Smith që kandidoi për president, por nuk fitoi para 80 vjetësh. Mbrëmja mbledh fonde për shoqata bamirëse katolike. Aty mblidhen politikanë nga të gjitha palët dhe lejohen vetëm fjalime humoristike.

Në debatin e parafundit, zoti Mekein iu referua zotit Obama jo me emër por “ai atje”, gjë që u konsiderua nga disa si fyerje.

“Të dashur miq, atij nuk i ngel hatri. Në fakt edhe ai ka gjetur një nofkë për mua: më thërret Xhorxh Bush”.

Senatori Obama vazhdoi në frymën e humorit.

“Tregon se në çfarë shkalle ka arritur demokracia jonë që dy javë para zgjedhjeve të paraprira nga një fushatë e ashpër, ne të dy mund të ulemi së bashku në të njëjtën tavolinë pa vendosur kushte ... Kohët e fundit, një nga këshilltarët e Xhonit i tha një gazete se nëse vazhdojmë të flasim për ekonominë, Mekein do të humbasë. Kështu që sot unë dua të flas për ekonominë”.

Kandidatët qeshën me shakatë e njëri-tjetrit, por edhe folën me respekt dhe admirim për njëri-tjetrin. Zoti Mekein tha se senatori Obama është një “person i jashtëzakonshëm” dhe se fushata e tij është historike. Ndërsa zoti Obama u shpreh se pak vetë që i kanë shërbyer vendit më me shumë përkushtim dhe nder sesa senatori Mekein.//rd//

XS
SM
MD
LG