Lidhje

Një biznesmen shqiptaro-amerikan ndjen pasojat e krizës


Kriza aktuale financiare filloi me krizën në tregun e shitblerjes së shtëpive. Vetëm dy vjet më parë, biznesi i shitblerjes së shtëpive ishte shumë fitimprurës për firmat që merreshin me të.

Në një klimë të tillë, shqiptaro-amerikani Sami Gjoka hapi pikërisht një biznes të tillë para katër vjetësh, por tani ai po vuan pasojat e krizës. Firma e zotit Gjoka Proplocate Realty është në rrethinat e Uashingtonit.

Ai e ka të vështirë ta besojë se brenda katër vjetësh, firma e tij është shndërruar nga një biznes që nxirrte fitime pa vështirësi, në një biznes që tani po mundohet vetëm të mbijetojë.

“Kjo krizë ka ndikuar natyrisht shumë keq në biznesin tim për arsye se biznesi im ka të bëjë me blerjen dhe shitjen e pasurive të patundshme. Është vetë biznesi për të cilin po flasim”.

Zoti Gjoka shpjegon se tani edhe kur blerësit kanë para dhe e kanë kreditin e mirë, bankat kanë frikë të japin kredi, pasi nuk dihet në se vlera e shtëpive do të rruhet apo do të bjerë më tej.

“Të gjitha bankat kanë frikë të investojnë, kështuqë po bien mundësitë e blerjes, që edhe nëse njerëzit kanë dëshirë të blejnë nuk munden sepse nuk mund të gjejnë paratë dhe kjo na ndikon tërësisht në biznesin tonë”.

Kompania e zotit Gjoka, me aktivitet në veri të shtetit të Virxhinas, në kufi me Uashingtonin, punëson rreth 300 agjentë, që punojnë aty me kohë të plotë, ose e kanë biznesin e shitblerjes si dytësor. Vetëm para pak vjetësh blerja e një shtëpie konsiderohej një investim fitimprurës, duke pasur parasysh se vlera e shtëpisë shënonte vetëm rritje dhe marrja e huasë ishte bërë shumë e lehtë.

Darnell Horton, bleu një shtëpi pranë qytetit Atlanta, dhe siç ndodhte rërndom në atë kohë, që të kualifikohej, banka e lejoi atë të paguante vetëm interesin për shtëpinë.

Huaja ishte e rrezikshme, pasi pas disa vitesh interesi do të rritej dhe kur të fillonte të paguante edhe vlerën e shtëpisë, pagesa mujore do të ngrihej ndjeshëm.

Por, në kushtet e ngritjes së vazhdueshme të vlerës së shtëpive, problemi mbetej i fshehur.Kur çmimet e shtëpive njihnin vetëm rritje,ata që kishin vështirësi për të paguar këstin e huasë mund t’i shisnin shtëpitë, të shlyenin huanë dhe madje të dilnin me fitim. Por me rënien e çmimeve, shumë huamarrës që nuk paguanin dot këstin e kredisë filluan të falimentojnë dhe shtëpia e tyre konfiskohej nga banka. Në këtë rast, banka humbiste sepse i mbetej në dorë një shtëpi e cila kishte rënë në vlerë.

Shumë banka dhe firma të tjera filluan të mos japin më kredi.

Professore Elinda Kis e Universitetit të Merilendit thotë se pa kredi, bizneset ngadalësohen dhe disa kompani mund të duhet të pushojnë nga puna punëtorët. Këta punëtorë fillojnë të mos shpenzojnë para dhe kjo dëmton bizneset e tjera.

"Ata fillojnë të mos shkojnë më nëpër restorante apo të blejnë rroba kështuqë këto biznese humbasin, shkurtojnë punëtorë dhe kjo përhapet në të gjithë ekonominë."

Ata që përkrahin planin prej 700 miliardë dollarësh për të shpëtuar sistemin financiar mendojnë se një plan i tillë për të blerë kreditë e këqia do të rikthejë besimin, do të nxisë kreditimin dhe do ta rivërë në funksionim ekonominë.

Sami Gjoka shpreh optimizëm për të ardhmen, duke thënë se nuk mendon se kriza në tregun e pasurive të patundshme do të zgjasë më shumë se dy vjet.

“Unë në vetvete mendoj që tani për tani e gjitha varet nëse do të mund të mbijetojmë këtë krizë të shitblerjes së shtëpive". //kk//

XS
SM
MD
LG