Lidhje

Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan mban takim rajonal në Tiranë


Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan organizoi sot në Tiranë një takim rajonal me tema të integrimit euro-atlantik të rajonit. Pjesëmarrësit nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria diskutuan mbi integrimin e Ballkanit në Bashkimin Europian. Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Avni Mustafaj, thotë se Shqipëria ka përparuar mjaft për integrimin në NATO dhe po punon shumë për të arritur Bashkimin Europian.

“Integrimi i Shqipërisë është pjesë e integrimit të gjithë Ballkanit në Europë. Bashkimi Europian ka interes tani që Ballkani të përfshihet jo vetëm pjesë-pjesë, por të merret plotësisht. Për fat të keq, kjo nuk ndodhi. Ne e pamë që për NATO ishte ideja që të pranohet Kroacia, Shqipëria dhe Maqedonia së bashku, por kjo e fundit nuk mundi për shkak të debatit për emrin me Greqinë. Nga ana e vet, Shqipëria po ecën në këtë drejtim, dhe besoj se punët në përgjithësi janë mirë, pasi ajo e nënshkroi antarësimin dhe u fut praktikisht në Aleancë. Besoj se kur të vijë koha dhe për Bashkimin Europian, jam i bindur se edhe Shqipëria do të pranohet” - tha zoti Mustafaj.

Ndërsa lidhur me Kosovën, zoti Mustafaj thotë se integrimi i saj në institucionet ndërkombëtare është i pashmangshëm, megjithë përpjekjet serbe për të shkaktuar pengesa në këtë proces.

“Sot jemi shumë të brengosur sepse është problemi i këtyre 6 pikave të sekretarit të përgjithshëm të OKB dhe BE-së. Problemi kryesor është se kur janë bërë këto diskutime në Bruksel, është e pakuptueshme se përse nuk janë ftuar edhe palët e Kosovës. Besoj se është e rëndësishme që partitë e Kosovës, pozita edhe opozita, edhe minoritetet, të mbajnë një front, sepse këta njerëz janë kryesia dhe qeveria e Kosovës. Duhet mbajtur parasysh se kjo ndikon edhe tek plani i Ahtisarit, edhe tek Kushtetuta e Kosovës” - tha zoti Mustafaj.

Ky është takimi i tretë rajonal për forcimin e institucioneve dhe integrimin europian, i cili u organizua me mbështetjen e USAID-it. Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan beson se në këto takime po marrin pjesë edhe mjaft të rinj të rajonit, të cilët do të përfshihen me koncepte moderne në jetën politike të vendeve të tyre. //iç//

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG