Lidhje

Presidenti Bush mban fjalimin e fundit në  Asamblenë e OKB-së


Presidenti Bush i tha Asamblesë së Përgjithshme të OKBsë se liria fetare është elementi qëndror i politikës së jashtme amerikane dhe se përhapja e demokracisë është një nga mënyrat më të mira për të mbrojtur lirinë fetare. Në atë që duket të jetë prezenca e fundit e tij në Kombet e Bashkuara para se të largohet nga zyra në janar, presidenti Bush mbajti fjalim në një sesion të Asamblesë së Përgjithshme që synonte të theksonte rëndësinë e dialogut ndërfetar në zgjidhjen e krizave në botë.

Zoti Bush foli për rëndësinë ka qënë besimi fetar në jetën e tij.

"Shumë vjet më parë, besimi më ndryshoi jetën. Besimi më ka mbajtur të fortë përmes sfidave dhe gëzimeve të presidencës sime, dhe besimi do të më drejtojë deri në fund të jetës".

Ai tha se Shtetet e Bashkuara respektojnë njerëzit që kërkojnë të mbrohen nga persekutimi fetar dhe se liria e besimit është e drejtë e mishëruar në kushtetutën amerikane.

"Liria është dhuratë e zotit për çdo burrë, grua dhe fëmijë. Liria përfshin të drejtën e të gjithë njerëzve ta praktikojnë atë sipas dëshirës së tyre".

Ai tha se mbrojtja e lirisë fetare ka qënë gjithmonë gurëthemeli i politikës së jashtme amerikane.

Presidenti Bush tha se megjithëse njerëzit kanë besime të ndryshme apo e praktikojnë atë në vende të ndryshme, besimi na çon të gjithëve drejt vlerave të përbashkëta si dashuria për fqinjët dhe trajtimi i tyre me dhembshuri dhe respekt.

Zoti Bush tha se një nga tiparet përcaktuese të qeverive demokratike është se ato respektojnë njerëzit e të gjitha besimeve duke u dhënë atyre lirinë të kundërshtojnë ata që përdorin fenë si justifikim për dhunën apo ekstremizmin.

“Njerëzit që janë të lirë të shprehin opinionet e tyre mund të sfidojnë ideologjitë e urrejtjes. Ata mund të mbrojnë besimet e tyre fetare dhe të flasin kundër atyre që kërkojnë t’i çojnë në rrugë të gabuar. Ata mund të mbrojnë fëmijët e tyre të bien nën ndikimin e terroristëve duke u dhënë atyre alternativa më shpresëdhënëse”.

Para fjalimit në asamblenë e OKB-së presidenti Bush u takua privatisht me sekretarin e përgjithshëm të organizatës, Ban ki-moon. Pas këtij takimi të dy udhëheqësit dhe bashkëshortet e tyre pozuan për fotografi në atë që është ndoshta vizita e fundit e zotit Bush si president në Kombet e Bashkuara.//rd//

XS
SM
MD
LG