Lidhje

Transformimi i një fabrike të njohur çeliku në Pensilvani


Kompania e prodhimit të çelikut, Bethlehem Steel ka qënë kompania e dytë më e madhe në Shtetet e Bashkuara. Ajo prodhonte binarë çeliku që përdoren për ndërtimin e gradaçelave dhe urave. Një dekadë pasi kompania u mbyll, fabrika e saj më e vjetër po i nënshtrohet një transformimi të gjerësishëm.

Sot është e vështirë të besosh se këtu dikur ka qënë kompania Bethlehem Steel, kompania e dytë më e madhe në Shtetet e Bahskuara që merret me përpunimin e çelikut.

Fabrika e saj në qytetin Betlehem të shtetit Pensilvani ka funksionuar për gati një shekull dhe dikur punësonte më shumë se 30 mijë vetë. Riçard Çek ka punuar në fabrikë për rreth 44 vjet.

"Kjo kompani ishte më e mira. Ajo çdo ditë përparonte, pasi ata dinin si të bënin prodhimet më të mira në botë".

Lëndët e prodhuara nga kompania Bethlehem Steel u përdorën për ndërtimin e një pjese të mirë të infrastrukturës amerikane përfshirë këtu urën Golden Gate në San Francisko si dhe shumë gradaçela në Nju Jork. Kompania po kështu pajisi forcat detare amerikane me armë të rënda për anijet luftarake.

Por në marsin e vitit 1998, kompania pushoi së prodhuari. Zoti Stiv Donçez punonte në kompani si nëndrejtor për marrëdhëniet me publikun. Tani ai drejton Muzeun e Historisë Industriale dhe sqaron mbi arsyet e dështimit të kompanisë.

"Ndryshoi tregu, ndryshuan furnizuesit dhe çeliku është një industri që kërkon shumë kapital. Kishte gjithnjë e më pak kërkesë për prodhimet tona. Në fund të viteve 80 prodhimet e importit na morën gati 50% të tregut".

Kur fabrika e çelikut u mbyll ajo la pas një zonë të ndotur më shumë se 7 km katrorë në qytetin Betlehem. Por siç thotë kryebashkiaku Xhon Kallahan, çfarë dikur përbënte një problem, tani përbën zgjidhjen.

"Ne po e rindërtojmë zonën dhe kemi hapur vende pune që mund të mbajnë mijëra familje. Shumë njerëz janë kthyer këtu në një mënyrë të pabesueshme”.

Këtu ka edhe plane për të ndërtuar një muze të historisë industriale, apartamente, një kompleks argëtimi, një hotel dhe një kazino.

Paratë për transformimin e ish fabrikës vijnë nga një kompani me seli në kryeqytetin e lojrave të fatit në Las Vegas të shtetit të Nevadës. Zoti Robert DeSalvio është president i kompanisë Sands BethWorks.

"Na pëlqeu shumë ideja që të sillnim një gjallërim historik. Historia e korporatës Bethlehem Steel Corporation, ndërtimi dhe mbrojtja e Amerikës janë një pjesë e historisë që ne duam ta mbajmë gjallë në aktivitetin tonë të ri”.

Kur kompania Bethlehem Steel funksiononte kjo urë përdorej për të transportuar mineralet në vagonë trenash të cilat i çonin ato në fabrikat e shkrirjes. Këto fabrika gjigante të shkrirjes gjithashtu do të ruhen.

Interesi i kompanisë për të ruajtur të paprekur pjesën më të madhe të ish fabrikës është një nga arsyet përse kryebashkiaku i qytetit e mirëpriti projektis e saj. Siç thotë kryetari i bashkisë së Betlehemit Xhon Kallahan,

"Për ne ishte me shumë rëndësi t’i rrënonim këto godina. Ne jemi një qytet 265 vjeçar. Godinat tona i përkasin historisë amerikane koloniale, edhe pse ne e respektuam atë kohë, mendova se ishte me rëndësi të përkujtonim historinë tonë industriale”.

Qyteti i Betlehemit në Pensilvani u ndërtua në vitin 1741 nga sekti i krishterë moravian. Kjo bashkësi u krijua në pjesën veriore të lumit Lehih. Qyteti tani ka qendra tregtare dhe restorante moderne. Sipas zotit Stiv Donçez, kur ndërtimet e reja u propozuan për herë të parë, në qytet kishte mendime të kundërta në lidhje me kazinonë.

"Në fillim nuk ramë dakord. Gjysma e njerëzve ishin kundër hapjes së lojrave të fatit. Me kalimin e kohës njerëzit ndryshuan mendim dhe menduan se zhvillimi i zonës do të kryhet siç duhet me planifikim të mirë dhe do të ketë ndikimin më të mirë ekonomik për qytetin”.

Kryetari i bashkisë Kallahan dhe të tjerë thonë se ata nuk besojnë se ky projekt do të ishte bërë i mundur pa mbështetjen financiare të bizneseve që merren me lojrat e fatit. Hoteli dhe kazinoja kanë në plan të hapen në qershorin e vitit 2009. Kompania thotë se pret me shumë se 5 milionë vizitorë në vit pas përfundimit të projektit. //iç//

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG