Lidhje

Ish-rivalët Obama e Mekein, bashkë për herë të parë që pas zgjedhjeve


Presidenti i zgjedhur Barak Obama dhe ish rivali i tij republikan Xhon Mekin thonë se shpresojnë të punojnë bashkarisht muajt e ardhshëm për të zgjidhur një sërë çështjesh kritike me të cilat përballet vendi. Dy ish kandidatët presidecialë zhvilluan dje një takim në Çikago pas të cilit ata lëshuan një deklaratë të përbashkët për shtyp.

Dy kandidatët u takuan në zyrat e trazicionit të presidentit të zgjedhur Obama në Çikago. Ky ishte takimi i tyre i parë që prej zgjedhjeve të 4 Nëntorit. Zoti Obama foli me gazetarët disa minuta para takimit.

"Duhet të bisedojmë shtruar mbi mënyrën sesi mund të punojnë bashkarisht për të zgjidhur problemet e vendit. Dua gjithashtu të falenderoj senatorin Mekein për shërbimin e shkëlqyer ndaj vendit.”

Gazetarët e pyetën senatorin Mekein nëse ai kishte ndërmend të ndihmonte administratën e presidentit Obama, pyetje së cilës senatori Mekein iu përgjigj vetëm me një fjali “natyrisht”.

Pas takimit, zoti Mekein dhe zoti Obama lëshuan një deklaratë të përbashkët për shtyp ku thanë se amerikanët e të gjitha bindjeve politike duan që udhëheqësit e tyre të bashkohen për të ndryshuar veset e këqija në Uashington. Sipas deklaratës, dy ish rivalët zhvilluan një bisedë konstruktive mbi nevojën për të nisur një epokë të re reformash për të rifituar besimin e amerikanëve tek qeveria e tyre.

Zoti Obama dhe senatori Mekein po kështu thanë se kanë ndërmend të punojnë bashkarisht për çështje kritike si gjetja e një zgjidhjeje financiare apo siguria kombëtare. Ky takim u zhvillua pas një fushate të gjatë dhe me tone të forta, ku dy rivalët sfiduan njëri-tjetrit mbi çështjen e taksave, përmirësimin e ekonomisë amerikane si dhe lufën në Irak.

Ndërkaq, ekipi i tranzicionit i zotit Obama pritet të bëjë publike emërime të reja në Shtëpinë e Bardhë si dhe emrat e parë për kabinetin e ri qeveritar gjatë ditëve të ardhshme. //ad//

XS
SM
MD
LG